“Turizmi, motor i ekonomisë”, debati mbi rëndësinë e tij: A keni kohë të merreni edhe me gjëra të tjera? T'i lutemi Zotit për turistë

Nga A2 CNN
20 Korrik 2026, 21:12 | Politikë

Enkelejd Musabelliu, zv/Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit, debatoi me Migen Qiraxhi, nga Qëndresa Qytetare, mbi rëndësinë e turizmit në ekonominë e vendit tonë.

Debati i zhvilluar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN:

Qiraxhi: A është e drejtë ta varësh ekonominë e vendit vetëm në dy sektorë?

Musabelliu: Të krahasosh ekonominë shqiptare me ekonominë e Francës, një nga vendet që udhëhoqi revolucionin industrial, një vend me mbi 60 milionë banorë, nuk qëndron në asnjë lloj prizmi krahasimi. Vlen më shumë një krahasim me një ekonomi si Greqia, e cila prapë se prapë në strukturë dhe në madhësi është më e madhe se Shqipëria për shkak të një avantazhi historik strukturor që ka patur, qoftë sa i përket transportit detar dhe me radhë, me rastin e Shqipërisë. Gjëja e parë që duhet të pranojmë është që ne jemi një vend i vogël dhe ne jemi një treg i vogël.

Qiraxhi: Po prej krizës së madhe ekonomike vendet e kanë kuptuar që nëse nuk diversifikojnë të ardhurat në ekonominë e tyre… Ç’do bëjë vendi po ra një pandemi? Mbyllet sektori i turizmit.

Musabelliu: Teoria ekonomike flet për një motor rritës. Tani, neve përgjatë gjithë viteve, përgjatë tranzicionit kemi vuajtur që të gjejmë këtë motor rritës. E kemi patur të vështirë të arrijmë tregjet e huaja të eksportojmë. E kemi patur të vështirë të rrisim konsumin dhe kërkesën agregate brenda në vend. Dhe turizmi është një fenomen që në Shqipëri, si industri e mirëfilltë, ka vetëm pas pandemisë.

Qiraxhi: Të lutem, a ke kohë të merresh edhe me gjëra të tjera se nuk mund të merresh vetëm me turizëm.

Musabelliu: Ajo që ka rëndësi është që ky motor, katër vitet e fundit ka qenë turizmi. Tani, turizmi mund të marrë me vete një sërë industrish të tjera të vendit, duke nisur me industrinë bujqësore sepse ti nuk ke nevojë më të shkosh në tregjet e huaja.

Qiraxhi: Pa produktivitet, ke 38% të forcës punëtore të punësuar dhe ke 18% produkt. Statistikisht prodhon vetëm për shtëpinë e vet fermeri.

Musabelliu: A është e mundur të bëjmë një diskutim normal?

Qiraxhi: Unë po t'i vesh statistika logjikës tënde.

Musabelliu: Duke nisur me bujqësinë, ne nuk kemi nevojë më të arrijmë tregjet e huaja, pasi po vijnë tregjet këtu. Prandaj dhe turizmi cilësohet si eksport në llogaritë ekonomike. Një sërë industrish të tjera mbështetëse të turizmit, duke nisur me industrinë e lehtë ushqimore, mund të fillojnë dhe të zhvillohen hap pas hapi duke ndjekur këtë lokomotivë. Transporti dhe logjistika patjetër janë sektorë të ekonomisë që do të zhvillohen hap pas hapi me zhvillimin e turizmit, por ama ne duhet t'i lëmë kohë industrisë së turizmit në Shqipëri që të zhvillohet. Është një industri që është në 4-5 vitet e para të veta. Patjetër që nuk do ndodhë që sot të vijnë 10 milionë turistë dhe nesër neve të dyfishojmë produktin bujqësor.

Qiraxhi: Kjo ndërlidhje bëhet akoma më fatale se në momentin që ne na mungojnë turistët, do falimentojnë të gjithë sektorët zinxhir. Sepse ti e vendos në varësi, e kolapson. Ti po thua që këtu ne t'i lutemi Zotit të vijnë turistë se po nuk erdhën turistë, ne mbaruam. Unë po them si të krijosh mekanizma të industrisë që janë të pavarur nga kjo.

Musabelliu: Sektorët duhen kohë që të zhvillohen dhe të maturohen. Dhe me t'u zhvilluar dhe maturuar, edhe nëse ty të mungon oferta turistike, ti tashmë e ke arritur një nivel të caktuar të zhvillimit të produktit apo të akumulimit të dijeve të nevojshme për të kapur tregjet e tjera. Zhvillimi nuk është diçka që ndodh sa hap e mbyll sytë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos