Karrige të përmbysura aty ku duhet të jetë foltorja, prezencë e shtuar e Gardës së Republikës, tymuese dhe zërat e deputetëve të mazhorancës në sfond.
Është ky skenari që u përsëritet sërish në Kuvendin e Shqipërisë, teksa opozita është zotuar që ta vijojë paralizimin e jetës parlamentare deri në respektimin, siç janë shprehur ata, e të drejtave të tyre kushtetuese.
Teksa deputetët e grupit të Rithemelimit qëndronin në këmbë duke ndezur tymuese dhe transmetuar live në rrjetet e tyre sociale, ligjvënësit socialistë vijuan të marrin fjalën e tyre nga vendi, duke mos kursyer edhe kritikat për sjelljen e kolegëve të tyre.
Ndër të tjerë, Flamur Noka të cilit kryeparlamentarja Lindita Nikolla i komunikoi përjashtimin, u vuri flakën një sërë letrash që mbante në dorë.
E gjetur përballë kësaj situate, kryetarja e Parlamentit njoftoi mbylljen e seancës, vetëm disa minuta pasi kishte nisur. (A2 Televizion)