
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka konfirmuar se produkti plehërues inorganic UREA që tregtohet në Shqipëri është në përputhje me standardet ligjore dhe specifikimet e deklaruara në etiketë, pas një serie kontrollesh dhe analizash të kryera në të gjithë vendin.
Sipas AKU-së, gjatë inspektimeve në subjektet që ushtrojnë aktivitet në importin, magazinimin dhe tregtimin e këtij produkti, janë marrë mostra të cilat janë analizuar nga laboratori i Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore.
“Bazuar në rezultatet e analizave, përqindja e azotit në këto produkte rezultoi konform përqindjes së deklaruar në etiketë, si dhe treguesve fizikë të formës, përmbajtjes dhe ngjyrës sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftimin zyrtar të AKU-së.
Pas publikimit të rezultateve, ka reaguar edhe kompania AgroBlend Group, një nga importuesit dhe tregtuesit kryesorë të produktit UREA në vend. Sipas kompanisë, analizat e kryera kanë konfirmuar se produkti UREA i importuar dhe tregtuar prej saj përmban minimumi 46% azot, në përputhje të plotë me etiketimin dhe certifikimet e prodhuesit.
Në reagimin e saj, AgroBlend thekson se rezultatet zyrtare rrëzojnë pretendimet e ngritura më herët mbi cilësinë e produktit dhe njofton se po përgatit procedura ligjore ndaj personave apo subjekteve që, sipas saj, kanë dëmtuar imazhin dhe reputacionin e kompanisë përmes deklaratave të pavërteta.
“Rezultatet e analizave flasin vetë. Integriteti dhe reputacioni i kompanisë sonë janë cenuar rëndë nga akuza të pabazuara. Studioja ligjore po përgatit padinë përkatëse për shpifje dhe dëmtim imazhi”, thuhet në deklaratën e Bordit Drejtues të AgroBlend.
Kompania rithekson se produkti UREA që ajo importon dhe tregton përmbush standardet më të larta të cilësisë, duke garantuar për fermerët një produkt me parametra të certifikuar dhe performancë të lartë në përdorim. (A2 Televizion)