“Makthi i burrave”, njihuni me problematikën që cenon edhe jetën seksuale

Nga Armend Pire
8 Shkurt 2025, 19:46 | Sociale

Çrregullimet e traktit urinar janë një nga problemet më të shpeshta te burrat. Ky problem shëndetësor kthehet në një shqetësim serioz për nga mënyra sesi trakti urinar pëson ndryshime. Urinimet e shpeshta, gjatë natës, por edhe me probleme në zbrazjen e plotë të fshikëzës, bëhet një makth i vërtetë për burrat. E ftuar në studion e emisionit Diagnozë nga Freskida Miloti, Prof. Asc. Marsida Duli, mjeke nefrologe nga Premium Clinic, tregoi sesi u ndryshon jeta burrave pas këtyre çrregullimeve, teksa apeloi për vizita mjekësore për të kapur në kohë këtë problem.

“Çrregullimet e traktit urinar për meshkujt janë makthi i meshkujve, për të vetmin fakt, sepse është pikërisht çrregullime që i detyrojnë ato të zgjohen natën dhe të shkojnë në tualet për të urinuar. Frikësohen gjithashtu edhe nga disa shenja të tjera që shoqërojnë këto çrregullime urinare, siç janë për shembull djegia gjatë urinimit, inkontinenca apo ndryshe mosmbajtja e urinës, vijimi i urinimit edhe pikimi pra sidomos kur mbaron procesi i urinimit sa arrin nganjëherë të lagen dhe këpucët si pasojë e vijimit të pikimit pas përfundimit të procesit të urinimit, apo edhe shenja të tjera të cilat lidhen me moszbrasjen, ndjesinë e moszbrazjes së plotë dhe vijimin e urinimit në një moment të dytë, apo qoftë edhe zgjatjen e periudhës ndërmjet inicimit të urinimit dhe procesit të zbrazjes së fshikëzës së urinës.” – tha mjekja nefrologe.

Çrregullimet urinare të patrajtuara mund të sjellin një sërë problemesh shëndetësore dhe sociale. Përveç dëmtimit të traktit urinar, burrave u rrezikohet edhe jeta seksuale pasi gjasat për impotencë, fertilitet dhe probleme me ereksionin dhe ejakulacionin.

“Të gjithë problematikat që lidhen me traktin urinar në gjininë mashkullore duhet të diagnostikohen dhe të trajtohen sa më herët, për të shmangur të gjithë pasojat që lidhen me këto çrregullime, sidomos ato të sferës seksuale, sepse impakton fertilitetin, impakton potencën, pra shkaktojnë infertilitet, impotencë, njëkohësisht problemet e ejakulacionit, të ereksionit e kështu me radhë. Kur ekzaminojmë dhe depistojmë pacientët tanë patjetër që përveç ekzaminimit të traktit urinar, ekzaminojmë edhe gjithë pjesën përbërëse të traktit seksual. Nuk duhet të përjashtojmë edhe sëmundje seksualisht të transmetueshme, patjetër që duhet të kontrollojmë edhe partneren, një ndër strategjitë kryesore të diagnostikimit dhe të suksesit të terapisë, është njëkohësisht dhe diagnostikimi dhe investigimet që ne bëjmë gjithashtu tek partnerja e pacientit i cili vuan nga simptomatika e traktit urinar.” – shpjegoi mjekja.

Shumë burra i lidhin problemet me traktin urinar me moshën drejt plakjes, duke mos referuar asnjë shqetësim te mjeku. Zgjimet e shpeshta të natës, apo problemet e ndryshme me urinimin, mund të trajtohen në kohë në mënyrë efikase. Disa analiza dhe një konsultë me mjekun, mund të zbulojë shkaktarët dhe më pas të orientohet pacienti për mjekim.

“Ajo që i themi pacientëve, është dhe një thirrje dhe qytetarëve, është mos vuani në heshtje. Pjesa më e madhe vuajnë në heshtje, sepse mendojnë dhe ja atribuojnë zgjimin natën, urinimin, çrregullimet e urinimit plakjes. Nuk është vetëm plakja, çrregullimi i urinimit, sot ka shkaktarë, sot është shumë e thjeshtë, identifikohet dhe lajmi mirë është që mund të zgjidhet me pak gjëra dhe mund të zgjidhet shumë thjeshtë. Ajo që i rekomandojmë është që të bëjmë disa ekzaminime bazë duke u nisur nga një analizë urine, analizë gjaku dhe një eko, kështu e identifikojmë shkaktarin bazë, më pas, nëse në ekzaminimet fillestare, pra ato bazike që ne quajmë, shohim ndonjë ndryshim, atëherë ne kalojmë në një fazë të dytë më të detajuar të ekzaminimeve, nëse do jetë gjithmonë nevojshme.” – këshilloi mjekja nefrologe.

Rubrika “Në Farmaci”, nga Freskida Miloti, vjen këtë herë me disa rekomandime për përdorimin e Vitaminës K. Një vitaminë mjaft e rendësishme e cila ka një efekt thelbësor në koagulimin e gjakut dhe shëndetin e kockave. Marrja e saj mund të jetë nëpërmjet bazës ushqimore si spinaqi, brokoli apo edhe sallata jeshile. Ndaj duhet të konsultoheni me mjekun ose farmacistin tuaj për përdorimin e kësaj vitamine, mungesa e së cilës mund të shkaktojë gjakderdhje të lehta, fraktura të kockave apo çrregullimet me tretjen.

Emisioni Diagnozë, nga moderatorja dhe autorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:15, me tematika të ndryshme dhe mjaft të rëndësishme për shëndetin. Ritransmetimi i emisionit është çdo të diel po në orën 18:15. Qëndroni të informuar nga mjekët më profesionist që janë pjesë e emisioneve tona, për një shëndet më të mirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos