Rrugëtimi i Krishtlindjes, të krishterët në Shqipëri bëhen bashkë për “lajmin e mirë”

Nga Erion Dushi
25 Dhjetor 2023, 17:53 | Sociale

Lindja e Jezusit në Betlehem të Judesë kujtohet sot në mbarë botën ku ka të krishterë.

Në Kishën Ungjillore, pastor Akili e mblodhi grigjën e tij mbrëmjen e 24 dhjetorit për t’u dhënë lajmin se në botë ka ardhur shpëtimtari.

Në një kënd tjetër të Shqipërisë, të krishteret katolikë mblidhen tok të festojnë këtë ngjarje në mesnatë. Në Rrëshen, arqipeshkvi ka mbledhur famulltarët e tij që e kanë përhapur lajmin së pari në kishat e tyre. Teksa i drejtohet shtëpisë së Zotit, në mendje kalon mendimin kryesor.

Përpara ceremonisë, kujdeset vetë që çdo gjë të shkojë siç duhet, duke dhënë edhe direktivat e fundit për mbarëvajtjen e saj. Simbolike është vendosja e Jezuit në grazhd, pasuar nga lutja e përbashkët me besimtarët.

Të veshur më mirë se zakonisht apo shumëkush me tesha të reja zgjedhur apostafat për këtë festë, besimtarët i drejtohen Jezusit të porsalindur dhe nga Shkodra urojnë këdo.

Një diell i ri ka lindur në Tiranë këtë 25 dhjetor dhe lindja e Krishtit është lajmi më i mirë edhe për të krishterët ortodoksë.

Çdo epokë ka trazirat, konfliktet ushtarake, katastrofat, tragjeditë, skamjen, lëndimin shpirtëror, dëshpërimin e vet. Epoka jonë po tronditet nga luftra të tejzgjatura mizore, krejt të paimagjinueshme, në shumë skaje të tokës, por edhe afër nesh në Ukrainë dhe në Palestinë. Kundërshtitë dhe përçarjet po mundojnë edhe mjediset kishtare. Çdo popull ka problemet e tij të shumëllojta. Çdo bashkësi, çdo njeri përjeton çaste trishtimi të thellë dhe dhimbjeje. 

Të krishterët në Shqipëri, ndonëse duken të veçuar, janë gjithnjë bashkë. Në rrugëtimin e tyre zotohen për të bërë më shumë, në mënyrë që tek çdokush të përcjellin imazhin e Krishtit në tokë. Në radhë të parë, ky mision i takon klerit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos