Gazetari lëshon “bombën”: Italia sfidon Shqipërinë për Shpendin. Askush si ai vitin e fundit

Nga A2 CNN
3 Nëntor 2024, 18:13 | Futboll

Gazetari lëshon “bombën”: Italia sfidon

Cristian Shpendi, sulmuesi shqiptar i Cesena-s, po tregon një formë të shkëlqyer këtë sezon në kampionatin italian të Serisë B, duke u bërë një nga emrat më të përfolur në futbollin italian. 21-vjeçari me prindër shqiptarë, por i lindur dhe rritur në Itali, ka një rekord golash mbresëlënës dhe është momentalisht kryegolashënuesi i kampionatit. Deri më tani, Shpendi ka realizuar në total 31 gola në kompeticionet zyrtare që nga sezoni i kaluar, përfshirë Serinë C, Kupën e Italisë për Serinë C dhe tani në Serinë B. Kjo shifër e lartë e vendos atë në krye të listës së golashënuesve italianë nga gushti i vitit 2023 deri më sot.

Ky është një artikull i shkruar nga gazetari italian Gianluca Di Marzio, i cili shkon edhe më tej, duke thënë se Shpendi mund të luajë me kombëtaren italiane, edhe pse deri tani ka qenë rregullisht pjesë e Shpresave të Shqipërisë.

“Krahas rekordeve dhe formës së tij të shkëlqyer, në intervistat e fundit, Shpendi ka lënë të kuptohet se është i hapur për një ftesë nga Kombëtarja italiane U-21, megjithëse për momentin mbetet pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë. Situata e tij paraqet një skenar interesant për përfaqësueset kombëtare. Sipas rregullave, nëse trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, do ta thërriste Shpendin për të luajtur në tre ndeshje (edhe miqësore), Italia do ta humbiste të drejtën për ta grumbulluar atë në të ardhmen. Kjo mund të jetë arsyeja që trajneri i Kombëtares Italiane, Luciano Spalletti, dhe ai i U-21 italiane, Carmine Nunziata, po e mbajnë të hapur opsionin për të”, shkruan gazetari italian.

Nga ana tjetër, të dhënat e tij flasin vetë. Në krahasim me golashënuesit e tjerë italianë, Shpendi jo vetëm që është një nga më produktivët, por edhe më i riu. Shifrat e tij për vitin e fundit tejkalojnë ato të sulmuesve të tjerë italianë, siç janë Gennaro Tutino dhe Massimo Coda. Madje, as sulmues të njohur të Serisë A, nuk e kanë arritur ritmin e tij të shënimit gjatë vitit të fundit.

E ardhmja e Shpendit është plot mundësi dhe alternativa. Duke parë përkushtimin dhe talentin e tij, shumë shpejt mund të shohim një sfidë mes Italisë dhe Shqipërisë për ta përfshirë në kombëtaret e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos