Një lajm i mirë vjen për futbollistin kolumbian, Luis Díaz nga vendlindja e tij, ku guerrilasit e krahut të majtë kanë lënë të lirë babanë e tij, që mbahej peng prej 13 ditësh.
Luis Manuel Díaz është dorëzuar nga anëtarët e ELN tek zyrtarët e Kombeve të Bashkuara dhe Kishës Katolike, teksa ishte rrëmbyer në 28 tetor në qytetin e Barrancas.
Babai i yllit të Liverpoolit më pas u transferua me helikopter në qytetin e Valledupar ku do t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore, megjithatë bëhet me dije se ai është në shëndet të plotë dhe nuk ka shenja keqtrajtimi.
Prindërit e Diaz u rrëmbyen nga disa persona të armatosur teksa kishin qëndruar në një pikë karburanti në provincën e La Guajira, gruaja u lëshua pas disa orësh, teksa babai qëndroi peng për 13 ditë.
Ende nuk dihet nëse futbollisti ka paguar një shumë të majme parash për lirimin e tij apo jo. (A2 Televizion)