Bledi Shkëmbi nuk do të jetë më trajner i Tiranës. Pas një takimi të gjatë me drejtuesit bardheblu, trajneri korçar ka vendosur të mbyll bashkëpunimin me kryeqytetasit.
Rezultatet negative dhe loja e dobët e bardhebluve , kanë bërë që presidenca e klubit mos të presë më gjatë.
Pas disfatës me Egnatian këtë të diel, Shkëmbi dha disa sinjale largimi, por pa konfirmuar vendimin e tij.
Përveç tij, nga bardheblutë është larguar edhe ndihmësi i Shkëmbit, Sabien Lilaj ndërsa skuadra do të drejtohet nga zv/trajneri i dytë, Endri Ohri.
45-vjeçari nga Korça u ul në stolin bardheblu më 1 korrik të këtij viti dhe e ka drejtuar ekipin në 12 ndeshjet e Superligës si dhe në 2 sfidat kualifikuese të Conference League.
Në këto ndeshje arriti të regjistrojë një fitore, tetë barazime dhe tre humbje në kampionat, si dhe eliminimin që në fazën e parë të Conference League. 13 gola të shënuar dhe 16 të pësuar, këto janë statistikat që Shkëmbi regjistroi si trajner i Tiranës dhe pas 4 muajsh drejtuesit vendosin të mbyllin me konsensus, kontratën.
Presidenca që tani ka nisur të mendojë për trajnerin e ri. Pas javës së 12, Tirana është në vendin e 7 me 11 pikë, 5 larg Teutës së vendit të gjashtë. (A2 Televizion)