Ulje me 10% e pagave dhe rishikimi i pensioneve, Vasili: Mentalitet i poshtër diktatorial

Nga A2 CNN
28 Prill 2020, 13:48 | Politikë
Ulje me 10% e pagave dhe rishikimi i pensioneve, Vasili: Mentalitet i

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, komentoi në “Ditari” në A2 propozimin e Ilir Beqajt për uljen me 10% të pagës së të punësuarve në sektorin publik dhe rishikimin e pensioneve.

Sipas Vasilit, kemi të bëjmë me “mentalitet të poshtër diktatorial”.

“Tha që paga mesatare ishte 63 000 lekë. Kjo është fantazi, është turp. Koncesione po, tendera po, ndërsa barra e krizës që po rrënon mijëra familje shqiptare, shkon vetëm te populli. Duan t’i marrin edhe një copë tjetër nga fukarallëku. Në vitin 2009, Shqipëria u përball me gripin e derrit. Kjo krizë shëndetësore u shoqërua me recesionin në Evropë. Nuk u ndërmor asnjë masë e tillë që të prekeshin pagat e punonjësve apo pensionet. Atëherë u pezulluan shpenzimet që nuk mund të bëheshin. Thënë më thjesht, u shtynë punimet për rrugë. Edhe tani, të ndërpriteshin koncesionet apo tenderat sekrete. Ky është mentaliteti më i poshtër i diktaturave: që të rrënojnë të varfërit, ndërsa shteti të ruajë llogaritë pa fund që rrjedhin në xhepat e tyre”, u shpreh Vasili.

https://a2news.com/2020/04/28/e-turpshme-zero-tolerance-ndaj-ideve-idiote-rezart-prifti-reagon-ndaj-propozimit-te-beqajt-per-shkurtim-pagash-dhe-rishikim-pensionesh/

“Kur shikon në tenderat sekretë, aty janë edhe letrat higjienike. Nuk ka nevojë të jesh ekonomist që të kuptosh se çfarë hajdutërie është kjo. Ku është SPAK-u? Është me koronavirus? Çfarë presin sepse denoncimet aty janë”, shtoi nënkryetari i LSI-së.

Në lidhje me hapjen e bizneseve, Vasili nënvizoi se qeveria që në fillim mori masa të gabuara: “Kufizimet kanë qenë karantinë politike sepse masat e marra kanë qenë jo vetëm të vonuara, por të pastudiuara dhe të gabuara. Nuk siguruan kufizimin e epidemisë dhe pati mungesë testimesh. Më parë testoheshin vetëm ata që kishin simptoma, sot testohen edhe ata që nuk kanë. Kjo tregon inkoherencë”.

“Është marrëzi të hapësh bizneset dhe të mbyllesh në orën 17:30. Këto masa jo vetëm që nuk ndihmojnë, por kanë vetëm një qëllim: qeveria gjoja hapi bizneset për të mos i mbështetur më ato. Ndërkohë që kufizimet e shqiptarëve vijojnë të jenë, si mund të frekuentohen bizneset? Këto janë biznese që janë hapur formalisht, duke mos e ndihmuar më veten. Qeveria po kërkon të shpëtojë nga detyrimet e saj. Qeveria nuk pati strategji para pandemisë dhe as pas pandemisë”, theksoi Vasili.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi