Ukraina dhe Rusia vazhdojnë me luftën e dronëve mes tyre. Kievi ka qenë shënjestra kryesore e ushtrisë së Vladimir Putinit.
Në kryeqytetin ukrainas, sirenat e alarmit kanë rënë për tri orë radhazi herët në mëngjes, ndërsa janë raportuar shpërthime të ndryshme. Forcat antiajrore janë aktivizuar duke rrëzuar me dhjetëra dronë të lëshuar nga forcat ruse.
Bombardime janë dëgjuar edhe në lindje të Ukrainës. Sulmet ruse në Zaporizhia dhe Herson kanë shkaktuar viktima dhe të plagosur ndër civilë. Kievi akuzon ushtrinë pushtuese se po lë pas një numër të lartë minash në tokë, 5 të tillë për metër katror.
Nga ana tjetër, Moska pretendon se ka rrëzuar 7 dronë të Ukrainës gjatë orëve të fundit në tokën e Rusisë. Sulmet raportohen në rajonin rus të Kalugës, 200 kilometra larg kryeqytetit. (A2 Televizion)