Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Nikoll Sherrniku, i akuzuar për "krijim të kushteve për të kryer vrasje" në lidhje me ngjarjen në "Don Bosko", ku u vra Mimoza Paja dhe u plagosën 6 të tjerë.
Sherrniku aktualisht është në paraburgim që prej gushtit 2022 për dyshime të përfshirjes së tij në një arsenal armësh në Lezhë.
Në sallën e gjyqit Sherrniku ka pretenduar se nuk kishte asnjë lidhje me atentatin në "Don Bosko", pasi në atë kohë ka qenë në qeli.
Sipas prokurorisë së Tiranës, Sherrniku është personi që ka marrë në Gjermani targat, që ka pasur automjeti "BMW" i përdorur në atentatin në "Don Bosko".
Gjatë hetimit Prokuroria e Tiranës ka siguruar dëshminë e një shtetasi kosovar, pronar i një servisi në Gjermani, që tregon se Sherrniku i ka marrë tre targa.
I njëjti fakt është provuar edhe nga deklarimet e një shtetasi tjetër kosovar. Më pas, një person nga Fushë Kuqja, lidhje miqësore e Sherrnikut, ka deklaruar para prokurorëve se targat në Gjermani i kishte marrë me porosi të Ervis Martinajt, pasi i nevojiteshin për t'iu shmangur policisë. (A2 Televizion)