Është mbushur plot një vit nga nisja e të ashtuquajturit "operacioni special ushtarak", me të cilin presidenti rus Vladimir Putin shpalli synimin e tij për "çmilitarizimin dhe denazifikimin" e Ukrainës. Një objektiv që Kremlini synonte ta arrinte në një kohë të shkurtër dhe që, përkundrazi, u shndërrua në një luftë të gjatë pozicionesh.
Dymbëdhjetë muaj që prishën ekuilibrin e gjeopolitikës botërore dhe shkaktuan qindra mijëra vdekje ushtarake dhe civile.
Ukraina mori mbështetjen e NATO-s dhe Perëndimit që në ditët e para të luftë, nën udhëheqjen e presidentit amerikan, Joe Biden, i cili në prag të 24 shkurtit shkoi për të vizituar Kievin dhe për të siguruar homologun Zelensky se kjo mbështetje do të vijojë.
Pikërisht, lideri i Kievit, deri një vit më parë i njohur kryesisht për të kaluarën si aktor është bërë "njeriu i vitit" dhe simbol i rezistencës.
Ky konflikt ka hapur edhe një herë një përçarje të madhe mes Rusisë dhe Perëndimit, duke i bërë jehonë kohëve të Luftës së Ftohtë dhe kërcënimeve për përdorimin e armëve bërthamore, ndërkohë që perspektiva e një tryeze bisedimesh duket ende e largët.
Para agimit të 24 shkurtit 2022, presidenti rus, Vladimir Putin, njofton se kishte vendosur të niste një "operacion ushtarak" me qëllim "çmilitarizimin dhe denazifikimin e Ukrainës" në përgjigje të një kërkese për ndihmë nga autoritetet e republikave të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut.
Dy orë më vonë, trupat ruse hynë në territorin ukrainas dhe sulmet ajrore dhe raketore goditën të gjithë vendin, duke përfshirë kryeqytetin Kiev. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u përgjigj duke shpallur ligjin ushtarak dhe ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Rusinë për të shpallur më pas mobilizimin e përgjithshëm. (A2 Televizion)