Në një vjetorin e sulmit rus, Rusia ka treguar të gjithë problematikat e saj, por mbetet një rrezik për rendin botëror, aq më shumë që pas saj por shfaqet një tjetër fuqi, edhe më e kundërshtuar nga Perëndimi dhe veçanërisht nga SHBA.
Sipas Medlir Memës, profesor i Shkencave Politike në universitetin Brigham Young University në SHBA, “pas 365 ditëve, jemi aty ku kemi qenë. Rusia është treguar si fuqi në rënie, dhe kjo deri diku ishte e ditur, ajo që nuk dihej ishte nëse mund të përballonte një sulm në kufijtë e saj”.
Profesori, duke parë vijimin e konfliktit, nuk pret një fund të afërt. “Unë nuk shoh një përfundim të luftës në muajt qoftë në vitin e ardhshëm, pres të paktën 3 sulme, ajo që pritet tani nga Rusia, kundërpërgjigja ukrainase përgjatë verës me armatimin perëndimor, dhe një sulm tjetër i Rusisë pas kësaj”.
Por Mema fton të mos nënvlerësohet Moska. “Historikisht dimë që Rusia nuk ka një performancë të mirë në vitin e parë të çdo lufte, prandaj ftoj që mos të nënvlerësohet me atë që mund të bëj, kjo është faza më e rrezikshme, duke parë edhe ndikimin e Kinës, sepse e dimë ndikimin e armëve perëndimore në konflikt, por jo domethënien e armëve kineze”.
Pekini është sipas tij pikërisht faktori që mund të përmbysë dinamikat e sotme. “Kina është aktor i interesuar për atë që ndodh, sepse ndikon te synimet e saj për Tajvanin. Por nga ana tjetër vepron si e pa interesuar sepse sa më shumë ky konflikt zgjat, aq më mirë është për Pekinin, sepse rritet varësia e Moskës ndaj saj, për arsyeje ekonomike dhe tashmë ushtarake, si dhe përqendrimi i Perëndimit ndaj Europës shkon në dëm të Azisë, diçka që i intereson Kinës për manovrat e saj gjeopolitike në atë zonë”. (A2 Televizion)