Çela-Gjipali: Aktorët politikë nuk duhet ta konceptojnë integrimin si lojën politike të radhës

Aktorët politikë nuk duhet ta konceptojnë integrimin si lojën politike të radhës, por të dyfishojnë përpjekjet për anëtarësim. Është ky apeli i bërë në studion e “Absolut 4” nga Alba Çela dhe Gledis Gjipali. Teksa komentoi deklaratat më të fundit të presidentit Meta, ministres Xhaçka apo deputetit Ralf Gjoni, Alba Çela nga Instituti për Studime Ndërkombëtare theksoi se BE vërtet nuk është në momnetin e duhur të zgjerimit, por vendi ynë duhet të dyfishojë përpjekjet.

“Deklarata e Metës që zgjedhjet janë referendum që do zgjedhim mes Lindjes e Perëndimit, nuk është korrekte. Zgjedhja e popullit shqiptar përmes ktyre viteve ka qenë shumë e qartë dhe kanë zgjedhur integrimin në BE.

Te deklarata e ministres Xhaçka dua të sjell në mend që  ai që ka pushtetin në dorë ka edhe përgjegjësinë më të madhe. Dhe të kemi skenarë që mund të dështojmë dhe të caktojmë fajin që tani është e gabuar.

Pesimizëm dhe dramatike deklarata e Ralfit se po të ishte ai skenar do të ishte goditje fatale e asaj aspirate. E kuptoj kontradiktën që ka me ambasadorin britanik, po mbështesja e integrimit është shumëvjeçar, dhe ata nuk do ta braktisin investimin e tyre. Ajo që do të duhet është që aktorët politikë të mos e konceptojnë si lojën e radhës. BE nuk është në momentin e saj të zgjerimit, ka skepticizëm për zgjerimin, por në këto kushte duhet të dyfishojmë përpjekjet”.

Nga ana e tij Gledis Gjipali nga Lëvizja Europiane u shpreh se fushata elektorale e nisur para kohe ka penguar ecjen përpara të procesit të integrimit. Sipas tij Shqipëria duhet të prodhojë reforma që janë në funksion të integrimit pasi jemi përballë realiteteve të reja. Ai thotë se nuk ka ndodhur kurrë më parë që procesi i integrimit të kushtëzohet nga zgjedhjet të brendshme.

“Për fat të keq fushata elektorale fillon muaj më përpara se është parashikuar në kod dhe deklaratat bëhen në funksion të kësaj fushate, është periudha më e keqe për integrimin se ka shumë pak angazhim dhe ecje përpara në proces. Kjo periudhë është e djegur për ecjen përpara. Shpresoja që edhe periudha mbas të ishte më e shkurtër se do përkthehej në një vit të tërë të humbur në procesin e integrimit. Evropa nuk është në momentin e mirë, po ne duhet të bëjmë më shumë për të arritur këtë objektiv kombëtar.

Shqiptarët e kanë treguar se orientimi i gjithë popullsisë shqiptare është proeuropiane dhe kjo energji të kanalizohet në drejtim të reformave dhe procesit duke ditur që gjërat nuk do të jenë më të lehta. Rruga do të jetë më e vështirë dhe kushte do të ketë, por jemi përpara këtyre realiteteve. Nuk ka ndodhur më parë që procesi i integrimit të kushtëzohet nga zgjedhjet të brendshme. Ne duhet të prodhojmë reforma në funksion të procesit europian”.