Premtimi i Bashës për integrimin, Vurmo: Prisja më shumë guxim

22 SHKURT 4 ABSOLUT PJ 2 PGM frame 18494 1100x620

Premtimi i Bashës për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare brenda 6 mujorit të parë të mandatit të tij është diskutuar në studion e “Absolut 4” me ekspertët; Alba Çela, Gjergji Vurmo dhe Erlis Çela.

Sipas Alba Çelës nga Instituti për Studime ndërkombëtare, ky angazhim i kryedemokratit Basha është i mirëpritur por nuk duhet të zerojë faktorët e jashtëm, pasi sipas saj kjo nuk është në dorën e tij, por nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm.

“Angazhimi është i mirëpritur por nuk është në dorën e Bashës për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare për 6 muaj se është kombinim faktorësh të brendshëm dhe të Jashtëm se ne nuk mund të zerojmë rolin e faktorëve të jashtëm”.

Më shumë guxim nga kreu i opozitës priste Gjergji Vurmo IDM Albania. Sipas tij konferenca e parë ndërqeveritare për integrimin është e pritshme të ndodhë brenda 6 mujorit të parë dhe do të ishte më e guximshme që Basha të premtonte hapjen e grupit të dytë të kapitujve apo përmbylljen e tyre.

“Basha justifikimin e ka në xhep. Premtimet gjeneraliste të zotit Basha në atë forum justifikohen, në kushte te tjera do të kisha pritur më shumë guxim nga shefi i opozitës, pasi është mëse e pritshme që konferenca e parë të ndodhë brenda 6 mujorit të parë. Do ishte më e guximshme të thoshte hapjen e grupit të dytë të kapitujve, ose do të artikulonte problematikat e ngërçet brenda BE, apo që synoj përmbushjen dhe përmbylljen e kapitujve, por nuk shkoi aq larg”.

Për pedagogun e Komunikimit Erlis Çela është pozitive përfshirja e shoqërisë civile në tryezë si edhe premtimi për rikthimin e ministrisë së integrimit.

“Ulja e liderit të opozitës me shoqërinë civile për procesin e integrimit tregon një lloj vullneti për ta përfshirë. BE nuk duhet ta shohim si partner tregtar. Procesi i integrimit është më shumë ekonomike është interes kombëtar. Premtimi i Bashës është një pozicionim i duhur dhe ministria e integrimit mund të sjellë një koordinim më të mirë. Premtimi është më shumë për angazhimet e Shqipërisë”

Në favor të rikthimit të ministrisë së Integrimit u shpreh edhe Alba Çela e cila shtoi se do ta bënte më të thjeshtë punë dhe do të gjallëronte procesin.

“Duke u nisur nga qëndrimi i Shoqërisë Civile jam në favor të ministrisë së integrimit dhe duke e integruar me MPJ. Sa herë që ndryshonin gjëra nuk ruhej investimi te njerëzit e trajnuar. Duke i ndërruar gjërat në mënyrë të shpejtë apo të padrejtë ka humbur investimi, koncentrimi në një ministri do ta bënte më të thjeshtë punën. Ka pasur disa procese eksperiencash. Duhet të rigjallërohen këto procese dhe të marrim më të mirën se është proces i vështirë dhe i gjatë”.