Shehu: Teatri vazhdon edhe pas shembjes së godinës, s’e kam kuptuar asnjëherë çfarë do PD-ja me LSI-në

vlcsnap 2021 03 01 23h06m06s438 1100x620

“Problemi është se në 2017-n, Basha ka dalë me fytyrë dhe zë se asnjëherë nuk do të qeverisë me Ilir Metën. Është një histori që përsëritet. PS po ashtu. Ilir Meta që thotë se për të mirën europiane ne do të lëmë Berishën dhe do të shkojmë te Rama. Përveç interesit për të krijuar një mazhorancë për të marrë vota, unë nuk e kam kuptuar asnjëherë, se çfarë do PD-ja me LSI-në. Këtë nuk e kam marrë vesh. Unë besoj se ka teatër në politikën shqiptare dhe teatri vazhdon edhe kur është shembur ai teatri real. Ky teatri i politikës shqiptare është akoma më interesant”.

Kështu i komentoi në “Absolut 4” studiuesi Redi Shehu marrëveshjet politike me LSI-në, ndërsa më pas pyeti edhe Gjiknurin nëse ka hapësira për marrëveshje të reja dhe nëse PS-ja do të ketë nevojë për 5-6 mandate për të formuar qeverinë.

Gjiknuri u shpreh se PS nuk do të ketë nevojë për ato mandate, ndërsa në fund la hapësirë edhe për një “marrëveshje të madhe” që mund t’i trembet Meta.

“Unë besoj se nuk do të kemi nevojë për ato mandate. Mua më bën habi deklarata e Presidentit të Republikës, i cili thoshte se do të marrë në dorë opozitën nëse PS-ja bën 71 mandate. M’u duk si një kundërthënie mes marrëveshjes triumfale të sotme mes LSI-së dhe PD-së. Ai po fillon të projektojë liderin e opozitës. Nuk ka besim te Basha, i cili mbase ka shenja kompromisi. Marrëveshja PD-LSI më duket boshe, pasi nuk ka as përmbajtje nga pikëpamja programore, por kjo as vota nuk sjell. Janë njësoj si në vitin 2017-n.

Nuk dua të spekuloj për të ardhmen. Politika është një terren që lëviz. Do të shihet rezultati i zgjedhjeve. Mund të ketë edhe ndonjë marrëveshje më të madhe, që mbase i trembet Meta”, tha Gjiknuri.