Politologu Adri Nurellari kritikoi fjalimin e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se kreu i qeverisë sot nuk duhet të flistë për “besën” por për përgjegjësi.
“Njerëzit do donin që Rama sot t’u fliste për përgjegjësi. Nuk donin një komunikim të zakonshëm elektoral me slogane dhe parrulla, por donin vetëreflektim. Kërkonin llogaridhënie, jo justifikime. Sot kemi krizën më të madhe të besimit ndaj kësaj qeverie dhe pikërisht vendos të përdorë fjalën BESË sot. Ai duhet të fliste për përgjegjësi dhe llogaridhënie”, tha Nurellari në studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN.
“Fjalimi nisi si një përpjekje për të zbutur protestuesit dhe përfundoi me Ramën e zakonshëm. Rama duket që nuk merr asnjë përgjegjësi, nuk bën reflektim, nuk bën autokritikë dhe nuk bën përpjekjen më të vogël për të kuptuar zërin e qytetarëve. Ai thjesht bën një manovër për të shmangur këtë situatë dhe mendon se do ta bëjë me slogane, me këto nisma, me fjalë boshe dhe kjo është për të ardhur keq”, shtoi analisti.
Sipas tij, “njerëzit në protestë nuk gënjehen me këto truke të dala boje”.
“Po flasim për breza të rinj, që jetojnë pa komplekse, janë të mirinformuar dhe i dinë standardet e politikanëve europianë”, theksoi Nurellari. (A2 Televizion)