Dënimi i ish-kryeprokurorit, Anila Hoxha: Të shkarkuarit nga vetting-u mund të kenë të njëjtin fat

anila hoxha 1100x620

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, u shpreh në “Absolut 4” në A2 se “njerëzit e drejtësisë, të shkarkuar nga vetting-u, mund të kenë të njëjtin fat” me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, i cili u dënua me dy vite burg për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.Po ashtu, Gjykata vendosi edhe konfiskim të pasurive, gati 22 mijë metra katrorë truall dhe një apartament në Durrës.

“Drejtësia, të paktën shkalla e parë, e përktheu me vendim atë që shkruhet në sallën e gjykatës: “Drejtësia është e barabartë për të gjithë”. Por, përtej rastit “Llalla”, njerëzit e drejtësisë të shkarkuar nga vetting-u, mund të kenë të njëjtin fat me ish-prokurorin e përgjithshëm. Shumë pjesëtarë të kupolës së drejtësisë do të kenë ditë të vështira, si Adriatik Llalla. Kjo e sotmja ishte ditë e rëndësishme”, deklaroi Hoxha.

Gazetarje nënvizoi se “rëndësi ka që të ketë vullnet për të luftuar të korruptuarit” dhe shtoi se “fakti që është ngritur SPAK, vazhdoj të besoj që do të ketë rezultate”.

“Të gjithë presim që SPAK të shuajë korrupsionin dhe krimin e organizuar si me shkop magjik. Por, gjithçka kërkon kohën e saj. Kambanat kanë filluar të bien dhe pak e nga pak po shkohet drejt atyre që e frymëzojnë korrupsionin, që paguhen nga taksat tona. Siç thotë populli, “peshku qelbet nga koka…”, u shpreh gazetarja Anila Hoxha.