“Kurti i është shmangur dialogut nga frika e marrëveshjes me kosto politike”, Çejku: Serbia të hapë një kapitulli të ri me Kosovën

31 MAJ 2021 4 ABSOLUT P1 PGM frame 20202 1100x620

Paraqitja e dy përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE në Kosovë është një lloj presioni si për Prishtinën dhe Beogradin për të mos anashkaluar nisjen e bisedimeve. Kështu e sheh ish-ambasadori Arben Çejku vizitën e zëvendës ndihmës sekretarit të shtetit amerikan, Matthew Palmer dhe përfaqësuesit të posaçëm të BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak në Kosovë. Sipas tij Kurti i është shmangur dialogut edhe nga frika e ndonjë marrëveshje që mund të kishte kosto politike.

“Vështirësia është tek ata që do të ulen në bisedime. SHBA dhe BE janë lehtësues e inkurajues të dialogut, paraqitja dhe vizita simbolike është një presion që tregon se nuk ka hapësira mes BE e SHBA që mund të shfrytëzohen për të anashkaluar hyrjen në dialog. Kurti i është shmangur dialogut edhe nga frika e ndonjë marrëveshje që mund të kishte kosto politike. Kjo tregon që lista e prioriteteve e qeverisë Kurti është përmbysur. Dialogu që ishte i shtati, kalon i pari dhe zhvillimi i Kosovës nuk mund të bëhet i izoluar”.

Çejku thekson se Serbia duhet të mendojë seriozisht për hapjen e një kapitulli të ri me Kosovën, pasi politikisht nuk ka asnjë justifikim nga të dyja palët dhe duhet të ulen në tryezë ëpr të bërë hapat e duhur.

“Nga ana tjetër është formë presioni ndaj Serbisë e cila ka dhënë shenja të shtyrjes së dialogut dhe dërgimi i përfaqësuesve; SHBA-BE tregon që edhe Serbia duhet të mendojë seriozisht për hapjen e një kapitulli me Kosovën që përveç kohës ka edhe një numër marrëveshjesh që janë nënshkruar, përfshirë edhe atë në Uashington. Administrata e re Biden nuk e ka hedhur në arkiv, por e sheh si një mundësi për të ecur përpara dhe për të konkretizuar afrimin mes palëve. Politikisht nuk ka justifikime nga qeveria Kurti po ashtu dhe nga Serbia. Të dy liderët nuk kanë justifikime politike dhe të nxjerrin pretekst brishtësinë e tyre, po të ulen në tryezë dhe të bëjnë hapat që duhet të bëjnë”.