Veshja e fëmijëve me rroba në ngjyrë neoni në plazh dhe pishina është shumë e rëndësishme për sigurinë e tyre. Këtë mesazh përcolli në Dita Jonë në A2 CNN infermierja Emanuela Kapllnai, e cila shpjegoi se ngjyrat e ndezura i bëjnë fëmijët më të dukshëm dhe më të lehtë për t’u identifikuar në ujë apo në ambiente të mbipopulluara.
“Unë përveç se e procedoj në pishina dhe në det në momentin tani që jemi në sezonin e plazhit, sidomos kur vijmë me pushime aty në Shqipëri, po dhe këtu i frekuentojmë rregullisht pishinat. Unë i frekuentoj dhe nëpër parqe. Unë zgjedhjen e ngjyrave e kam prioritet, sepse dhe nëpër turma të mëdha ku jemi mundohem që fëmijët t'i vesh me ngjyra të ndezura, për t’i identifikuar .kur i ke fëmijës së grupmoshat që janë poshtë tre vjeç ato rrinë afër prindërve. Aty ti je afër tyre dhe mund t'i mbikëqyrësh”, tha ajo në Dita Jonë në A2 CNN.
Sipas saj, rozë neon, jeshile neon dhe portokalli neon janë ndër ngjyrat që dallohen më lehtë nga prindërit, vrojtuesit e plazhit dhe pushuesit e tjerë. Ajo tregoi se edhe vetë i vesh fëmijët e saj me këto ngjyra, veçanërisht gjatë sezonit të verës.
“Kurse në momentin që fëmijët largohen që janë mosha mbi tre vjeç që kontakti social është më i madh dhe dëshirojnë të luajnë me të tjerët po ashtu dhe në plazh dhe në pishinë ata largohen nga kontakti jonë me sy dhe kështu unë vendos gjithmonë që t'i vesh me ngjyra të ndezura që e bëjnë më të lehtë mbikëqyrjen e tyre. Po unë duke qenë se kam çun edhe gocë, gocën mundohem ta vesh me ngjyrën pink, domethënë ngjyra e rozë e ndezur me ngjyrë neon. Kurse çuni bën zgjedhje midis jeshil neon dhe portokallisë neon”, theksoi ajo.
Infermierja solli edhe shembullin e Gjermanisë, ku edukimi për sigurinë në ujë dhe mësimi i notit janë pjesë e sistemit shkollor që në moshë të hershme. (A2 Televizion)