
Arritja politike e Samitit që bëri bashkë në Tiranë drejtuesit e vendeve të Bashkimit Europian me ata të Ballkanit Perëndimor, mund të shndërrohet në një fitore afatgjatë ekonomike.
Për ekspertin e ekonomisë Fatos Çoçoli, 6 dhjetori mund të forcojë urat e komunikimit ekonomik mes Shqipërisë dhe sipërmarrjeve në shtetet e “Unionit”.
“Është çështje imazhi. Kur sipërmarrësit e huaj shohin se drejtuesit e vendeve të tyre vijnë në Tiranë në një ditë plot diell, sigurisht që kjo shton besimin te ata. Samiti mund të ndikojë ndjeshëm në thithjen e investimeve të huaja,” thotë ai.
Veç investimeve të huaja, për ekspertin Çoçoli, nga samiti mund të lindin më shumë programe, me fonde ndihme për Shqipërinë.
“Ka shumë xhepa. Fonde të koherencës apo kohezionit nga Bashkimi Europian. Janë fonde për zhvillimin rual dhe bujqësor apo kulturor që mund të thithen.”
Por, aty ku ka mundësi, ka edhe sfida që duhen kaluar e kushte për t’u përmbushur.
“Duhet dëgjuar më shumë biznesi i huaj, dhomat e tregtisë. Sidomos kur hartohen paketat fiskale, duket më shumë konsultim me të huajt”.
Sipas Komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Euroian, Oliver Várhelyi në Samitin BE-Ballkani Perëndimor pritet të ndahen fonde në rreth 2.5 miliardë euro. (A2 Televizion)