“Zambaku i vyshkur”, stadiumi magjik lihet në mëshirë të fatit pasi skuadra bie nga kategoria

Nga A2 CNN
6 Shtator 2023, 12:22 | Futboll
“Zambaku i vyshkur”, stadiumi magjik lihet në mëshirë

Një stadium futbolli me kapacitet prej 100 mijë vendesh, që duhet të ishte “lulja” më e bukur e sportit kinez, është lënë në mëshirë të fatit, pasi skuadra që do të luante aty ra në kategorinë e dytë.

Skuadra e kampionatit kinez, Guangzhou Evergrande, joshi fillimisht tifozët kur prezantoi planet për stadiumin e ri, i cili do të ishte në formën e një zambaku. Kapaciteti i tij do të ishte më i madh se disa prej stadiumeve më të mëdhenj në Europë, si “Wembley” me 90 mijë vende dhe “Camp Nou” me 99 354 vende.

Por që prej nisjes së punimeve në prill 2020, pronarët e klubit janë përballur me probleme financiare. Grupi “Evergrande”, një prej kompanive të ndërtimit më të mëdha në Kinë, mendohet se ka mbledhur borxhe në mbi 200 miliardë euro, gjë që e ka detyruar të ndërpresë ndërtimin e stadiumit.

Në nëntor 2021, stadiumi i papërfunduar u sekuestrua nga qeveria kineze, që planifikonte t’ia shiste një tjetër kompanie, por projekti u ndërpre përfundimisht në mes të vitit 2022.

Një vit më vonë, pamjet që vijnë nga impianti tregojnë se nuk ka ndryshuar asgjë. Vinçat janë ende aty, por nuk ka më asnjë këmbë njeriu. Të gjitha pjesët dhe pajisjet e përdorura për ndërtimin e stadiumit do të nxirren në ankand dhe sipas raportimeve nga mediat kineze, shteti mund të përfitojë deri në 150 milionë euro prej këtij operacioni.

Për shkak të këtij zhvillimi negativ, skuadra Guangzhou është detyruar të luajë në një stadium shumë më të vogël, me kapacitet prej vetëm 50 mijë vendesh. Kjo ka ndikuar edhe në ecurinë sportive. Pavarësisht se ishte një prej skuadrave dominuese të kampionatit kinez, duke fituar 8 herë titullin kampion në 11 vite, Guangzhou ra nga kategoria në vitin 2022, pasi fitoi vetëm 3 ndeshje nga 33 të luajtura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos