Tërmet me magnitudë 7 në Marok, viktima dhe të plagosur

Nga A2 CNN
9 Shtator 2023, 07:08 | Bota
Tërmet me magnitudë 7 në Marok, viktima dhe të plagosur

Një tërmet i fortë me magnitudë 7 të shkallës Rihter goditi rajonin e Marrakech në Marok, duke shkaktuar 296 të vdekur dhe mbi 150 të plagosur.

Lëkundjet e tërmetit u regjistruan në 23:11 të së premtes së 8 shtatorit dhe zgjati rreth 30 sekonda. Epiqendra ishte në qendër të vendit, 16 kilometra nga fshati Tata N’Yaaqoub, në komunën e Ighil, 72 kilometra në jug-perëndim të Marrakech.

Lëkundjet u ndjenë përgjatë gjithë kreshtës së Atlasit, në Merzouga, një nga portat për në shkretëtirë, Taroudant, Essaouira dhe Agadir dhe në anën tjetër të vargmalit në Kazablanca, deri në Rabat.

Tërmeti i fuqishëm ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Policia, mbrojtja civile dhe personeli mjekësor janë mobilizuar për të përgatitur një plan të mundshëm emergjence.

Bilanci i tërmetit përditësohet minutë pas minute, pasi të dhëna vijnë nga qytetet dhe veçanërisht nga vendpushimet malore pranë epiqendrës. Fshatrat me Atlas janë shumë të varfër dhe shpesh nuk kanë lidhje interneti dhe shtëpitë janë të ndërtuara me muret karakteristike, të bëra me kashtë, baltë dhe gurë. Frikë e madhe ekziston sidomos në medinën e Marrakech, ku janë shembur pjesët më të brishta të mureve që rrethojnë qendrën historike. Disa shtëpi janë shembur, në sheshin Jamaa el Fna u shemb minarja e një xhamie të vogël pranë “Café de France” historike.

Dëme u raportuan në kasbah të Marrakech dhe shembje shtëpish në zonën veri-lindore. Në qytetin e ri ka të çara në kambanoren e kishës katolike të Guelizit. Fasadat u shembën në Essaouira, në Oqeanin Atlantik dhe në Ouarzazate, në jug qendror. Mijëra vetë në panik u derdhën në rrugët e qytetit të ri të Marrakech dhe në rrugicat e Medinës. Për një kohë të gjatë mungonte energjia dhe lidhja me internetin. Aeroportet janë aktualisht të mbyllura dhe do të rihapen të shtunën në mëngjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos