Rruga e re e bukës përmes Detit të Zi, pa pasur nevojën e kalimit të anijeve në ujërat ruse, në një kohë kur Kremlini ka refuzuar zgjatjen e marrëveshjes për drithërat, ka rezultuar efektive.
Kjo pasi, dy anije mallrash kanë mbërritur në një port ukrainas për herë të parë pasi udhëtuan përmes këtij korridori në Detin e Zi.
Anijet arritën në Chornomorsk të shtunën dhe do të ngarkohen me 20,000 ton grurë, i cili do të dorëzohet në Egjipt dhe Izrael, për t’u shpërndarë më pas në tregjet botërore.
Zyrtarët thanë se ishte hera e parë që anijet civile kishin arritur në një port ukrainas që nga rënia e paktit me Rusinë që garantonte sigurinë e korridorit tregtar.
Më parë korridori ishte përdorur vetëm nga anijet që niseshin nga Ukraina.
Zëvendëskryeministri Oleksandr Kubrakov tha se “anijet Resilient Africa dhe Aroyat lundruan duke mbajtur flamurin e kombit ishullor oqeanik të Palaut”, dhe se ekuipazhi i tyre përbëhej nga njerëz nga Ukraina, Turqia, Azerbajxhani dhe Egjipti.
Kievi shpalli në mënyrë të njëanshme korridorin detar, i cili shtrihet përgjatë bregut perëndimor të Detit të Zi, por Rusia ka kërcënuar prej asaj kohe se do t’i trajtojë anijet civile që lundrojnë drejt Ukrainës si objektivë të mundshëm ushtarakë. (A2 Televizion)