Bsides Tirana, zhvillohet edicioni i dytë dedikuar profesionistëve të sigurisë kibernetike

Nga A2 CNN
22 Shtator 2023, 17:29 | Teknologji
Bsides Tirana, zhvillohet edicioni i dytë dedikuar profesionistëve

Sulmet kibernetike të vitit të shkuar dhe kalimi i thuajse të gjitha shërbimeve publike në E-Albania ka nxitur si kurrë më parë nevojën për siguri kibernetike.

Për dy ditë me radhë në Pallatin e Kongreseve në Tiranë u zhvillua edicioni i dytë i cikleve të workshopeve dhe konferencës BSides Tirana, një organizim që u dedikohet profesionistëve të industrisë në fushën e sigurisë kibernetike.

“Ndryshe nga viti i shkuar, këtë vit kemi bërë një konferencë 2-ditore. Ditën e parë kemi organizuar workshop dhe CTF që janë trajnime falas për pjesëmarrësit. Dita e dytë u organizua përmes konferencës. Qëllimi është të bëjmë bashkë gjithë të interesuarit mbi sigurinë kibernetike. Kemi pasur folës shqiptarë dhe të huaj,” u shpreh Rio Sherri, organizator i “BSides Tirana”.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe Drejtor i Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa i cili njoftoi edhe ngritjen së afërmi të Akademisë Kibernetike Kombëtare.

AKCES ka një plan të qartë për të krijuar një qendër të Akademisë Kibernetike Kombëtare e cila do të injektonte implementimin dhe përmirësimin e mendjes së sigurisë kibernetike dhe thithjen e profesionistëve që do të ndihmonte në rritjen e nivelit të sigurisë kibernetike.”

Martin Lutz dhe Majo Micovic, dy ekspertë të sigurisë kibernetike në rrafshin ndërkombëtar dhanë edhe këshillat e tyre për qytetarët, bizneset dhe institucionet. 

“Sulmet “fishing” janë edhe ato më të përhapurat. Duhet pasur shumë kujdes. Kjo pasi janë pika e parë e kontaktit mes pajisjes dhe internetit. Kujdes duhet të kenë veçanërisht qytetarët, por edhe sipërmarrjet.”

“Siguria kibernetike nuk është asnjëherë e mjaftueshme. Sado të investohet sërish gjenden hapësira nga hakerat për të sulmuar. Ajo që vjen është “zero besim dhe investime në softwere.”

Ngjarja dy ditore e pagëzuar si “Bsides Tirana” vjen si formë për të frymëzuar audiencat me interes në sigurinë kibernetike dhe shërben si një urë lidhëse mes profesionistëve të sigurisë dhe komunitetit të teknologjisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos