Shërbimi kufitar i Azerbajxhanit konfirmon se policia ka arrestuar një ish-zyrtar të lartë në administratën separatiste etnike armene të Nagorno-Karabakut, Ruben Vardanyan, teksa po përpiqej të largohej për në Armeni.
Vardanyan u dërgua në Baku dhe iu dorëzua agjencive të tjera shtetërore.
Një bankier miliarder investimesh, Vardanyan shërbeu si kreu i qeverisë separatiste të Karabakut midis nëntorit 2022 dhe shkurtit 2023.
Ditët e fundit, nga rajoni i trazuar, por tashmë në armëpushim i Nagorno-Karabakh, të shumtë janë banorët që po largohen drejt Armenisë me gjithçka munden.
Janë me qindra refugjatët që mbërritën këtë fundjavë, nga kufiri me Azerbajxhanin drejt Armenisë, me makinë, në këmbë apo me ambulancë.
Shumë prej tyre thonë se duan të largohen sa më parë nga Nagorno-Karabakh, kërkojnë të krijojnë një jetë të re në Armeni dhe nuk duan më të jetojnë në territorin azer, sepse i tremben një spastrimi etnik, fjalë që ata thonë se e kanë dëgjuar vazhdimisht këto ditë, që pas rindezjes së konfliktit.
Nagorno-Karabakh, një rajon malor në Kaukazin jugor, është ndërkombëtarisht i njohur si pjesë e Azerbajxhanit, por ka qenë nën kontrollin e etnikëve armenë prej së paku 3 dekadash.
Enklava ka pasur vazhdimisht mbështetjen e Armenisë, por edhe të aleatit të tyre, Rusisë, që prej vitesh ka vendosur atje qindra ushtarë të saj. (A2 Televizion)