SHBA rifillon dëbimet e drejtpërdrejta të emigrantëve të paligjshëm

Nga A2 CNN
6 Tetor 2023, 08:08 | Bota
SHBA rifillon dëbimet e drejtpërdrejta të emigrantëve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të rikthejnë dëbimet e drejtpërdrejta të emigrantëve të paligjshëm në vendet e tyre, pas shtimit të fluksit gjatë muajve të fundit.

Lajmi u bë i ditur nga një zyrtar i lartë i administratës Biden, i cili shpjegon se numri në rritje i emigrantëve që hyjnë nga Meksika ka bërë, të rikthehet dëbimi i tyre, i pezulluar prej vitesh, sidomos për emigrantët e parregullt nga Venezuela.

“Ne kemi identifikuar tashmë personat që po ndalojmë dhe që do të dëbohen shpejt në ditët në vijim”, u shpreh zyrtari amerikan.

Ndërkohë, presidenti Biden, një ditë më parë, njoftoi se ka ndryshuar qëndrim për murin në kufi me Meksikën, që u nis nga paraardhësi i tij Trump, por që u pezullua, sapo mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.

Administrata Biden tha të enjten se do ta zgjasë murin në kufirin me Meksikën, në përpjekje për të frenuar numrin rekord të emigrantëve.

A2 CNN Livestream

A2 Sport