Zbulohet parcela me 4930 bimë dhe 198 kg kanabis i tharë në Vlorë, e pësojnë 3 policë

Nga A2 CNN
12 Tetor 2023, 08:51 | Kronikë
Zbulohet parcela me 4930 bimë dhe 198 kg kanabis i tharë në

Një magazinë e përshtatur për tharjen e bimëve të kanabisit dhe një parcelë me misër ku ishin kultivuar 4930 bimë narkotike, është zbuluar në fshatin Bishan të Vlorës.

Në kuadër të operacionit “Amid” policia ka sekuestruar 198 kilogramë kanabis në proces tharjeje, 2 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe një sasi fishekësh luftarak, që u gjetën gjatë kontrollit të magazinës.

Sakaq, janë vënë në pranga 3 persona, të cilët dyshohet se kultivonin bimët narkotike dhe përgatisnin kanabisin e tharë për shitje.

Po ashtu, pas zbulimit të parcelës me kanabis, është ndjekur penalisht kryeplaku i fshatit Bishan dhe 3 punonjës policie. Katërshja në fjalë dyshohet se shpërdoruan detyrën duke mos realizuar si duhet kontrollin e zonës.

Të tre punonjësit e policisë janë pezulluar nga detyra.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të kultivimit të bimëve narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar, në bashkëpunim me strukturat e DVP Fier, operacionin policor të koduar “Amid”.

Gjatë operacionit, në fshatin Bishan, shërbimet e Policisë kanë konstatuar të kultivuara mes një parcele me misër, në pronësi të shtetasit D. M., 4930 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.

Nga kontrolli i territorit, në afërsi të kësaj parcele është zbuluar një magazinë e përshtatur për tharjen e bimëve narkotike dhe përgatitjen e lëndës narkotike, në pronësi të shtetasit S. Ll.

Në këtë magazinë janë gjetur 198 kg lëndë narkotike në proces tharjeje, 2 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe një sasi fishekësh luftarak, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit:

– S. Ll., 40 vjeç dhe D. Ll., 18 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Bishan.

– D. M., 69 vjeç, banues në fshatin Bishan.

Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit:

-B. H., 61 vjeç, me detyrë kryetar i fshatit Bishan. 

Si dhe për 3 punonjës policie, të cilët edhe janë pezulluar nga detyra, konkretisht:

– Nënkomisar K. P., me detyrë shef i Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Vlorë;

– Nënkomisar F. M., me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Vlorë;

– Inspektor M. A., me detyrë ndihmës specialist (SPZ) në Komisariatin e Policisë Vlorë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos