Sondazh: Sa të kënaqur jeni me cilësinë e arsimit në vend?
  • Shumë 12%
  • Pak 14%
  • Aspak 74%

Gjykata e Tiranës shqyrton kërkesën e Bashës për ndryshimet statutore, do të dëgjohet edhe Rithemelimi

Nga A2 CNN
19 Tetor 2023, 09:38 | Politikë
Gjykata e Tiranës shqyrton kërkesën e Bashës për

Sot Gjykata e Tiranës shqyrton kërkesën e Lulëzim Bashës për të regjistruar ndryshimet statutore të bëra në Kuvendin Kombëtar të 2 shtatorit. PD-ja e Rithemelimit është thirrur nga gjykata për t’u dëgjuar.

Përmes një kërkese, PD-ja e Rithemelimit i kërkon gjykatës pezullim të kësaj çështjeje dhe mosregjistrim të ndryshimeve statutore. Sipas këtij grupimi, nuk mund të ketë regjistrime shtesë, pa u zgjidhur çështja në themel se kujt i përket “vula”, çështje që pret gjykimin në Gjykatën e Lartë.

A2 CNN iu drejtua, disa ditë më parë, hallkës më të lartë të gjyqësorit për të mësuar më shumë rreth rekursit të bërë më 24 maj nga Rithemelimi, i cili kërkon të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, ku vula i mbeti Sali Berishës.

Kjo çështje, për shkak të objektit që ka, “Rekurs(Prishje Rigjykim)” hyn te çështjet për të cilat gjykata investohet me procedurë të përshpejtuar. Për këtë arsye, por edhe për shkak të natyrës sensitive që ajo mbart, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë ju bën me dije se ajo do të shqyrtohet shumë shpejt, në Dhomë Këshillimi.

Berisha, që drejton Rithemelimin, ankohet prej muajsh se çështja vonohet enkas nga Gjykata Kushtetuese, me urdhër politik të Kryeministrit Rama, me qëllim që përçarja mes demokratëve të vijojë sa më gjatë, duke i dëmtuar ata përballë elektoratit.

Palët shkuan në Gjykatën e Lartë, pasi Apeli ktheu përsëri çështjen në shkallë të parë, ku Berisha kishte arritur të regjistronte vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021, përmes të cilave rimerrte kontrollin e Partisë Demokratike, duke larguar Lulzim Bashën dhe lidershipin e tij.

Sipas Apelit, Gjykata e Shkallës së Parë duhej të kishte pranuar si palë në proces edhe grupin e Bashës, ndaj pa hyrë në themel të çështjes, kërkoi rigjykimin e saj.

Kundër këtij vendimi të Apelit, Rithemelimi i Berishës iu drejtua Gjykatës së Lartë, me bindjen se gjithsesi nuk do të gjejë zgjidhje.

Përveç përplasjeve ligjore, marrëdhënia ndërmjet demokratëve këto dy vitet e fundit ka njohur edhe përleshje fizike. 8 janari i vitit 2022 është simboli i kësaj përplasjeje ku njëra palë fortifikoi partinë duke e blinduar, ndërsa tjetra kërkonte të ngrinte flamurin e fitores duke e shpërthyer atë.

Berisha arriti të rimerrte selinë vetëm pas zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit të vitit 2022, ku Basha rezultoi forcë e tretë, duke u detyruar të japë dorëheqjen. Një pauzë jashtë reflektorëve që zgjati diçka më shumë se 1 vit, ku poltronën ia ruajti i besuari i tij, Enkelejd Alibeaj, për t’u rikthyer më pas edhe njëherë “de jure” si kryetar i PD-së, një logo tashmë e tkurrur si në lista anëtarësie, ashtu edhe në grup parlamentar.

Ditari A2 CNN