Mohamed Salah, ylli i Liverpulit dhe një prej lojtarëve më të rëndësishëm në botë, thyen heshtjen. Nëpërmjet një postimi në “X”, ai kërkoi t’i jepen fund masakrave në Rripin e Gazës.
“Nuk është e thjeshtë të flasësh në kohë të tilla. Kishte shumë dhunë dhe brutalitet që të thyen zemrën. Përshkallëzimi i situatës në javët e fundit është i pamundur të mos vihet re”.
Mes të tjerave, futbollisti egjiptian theksoi se “njerëzit në Gaza kanë nevojë urgjente për ushqim, ujë dhe ilaçe”. Ai i bëri apel liderëve botërorë që të bashkohen për të ndalur masakrën ndaj të pafajshmëve. Sipas Salah, njerëzimi duhet të mbizotërojë!
Video e postuar nga sulmuesi i Liverpulit u bë menjëherë virale në rrjet. Në harkun e vetëm një orë, mesazhi u pa nga më tepër se 39milionë njerëz. Një tregues i qartë i impaktit që Salah ka mbi të gjitha në botën myslimane.
Gjatë ditëve të fundit, shumë tifozë në Egjipt e kanë kritikuar Salah, sepse nuk ishte shprehur rreth luftës dhe në mbrojtje të palestinezëve. Madje, disa prej tyre nisën fushatën online, për të mos e ndjekur më 31-vjeçarin në rrjetet sociale.
Sipas ministrisë së shëndetësisë në Gaza, rreth 3500palestinezë janë vrarë dhe ka mbi 12 mijë të plagosur, nga kundërofensiva e Izraelit, që nisi më 7 tetor. Ajo ishte data kur militantët e grupit Hamas mësynë në qytetet izraelite, duke vrarë 1400 civilë dhe morën qindra pengje. (A2 Televizion)