Regjistrimi i statutit të Bashës, Gjykata pranon “Rithemelimin”dhe Bardhin si palë në proces

Nga A2 CNN
19 Tetor 2023, 12:28 | Politikë
Regjistrimi i statutit të Bashës, Gjykata pranon

Përtej debateve në sallën e gjyqit, Gjykata e Tiranës ka pranuar “Rithemelimin” dhe Gazment Bardhin si palë në proces gjyqësor për regjistrimin e ndryshimeve statutore të Kuvendit Kombëtar të 2 shtatorit.

Grupimi zyrtar i partisë Demokratike, përfaqësuar nga Rezart Kthupi dhe Indrit Sefa, ishin kundër këtij qëndrimi duke e konsideruar “Rithemelimin” nul.

Indrit Sefa: Autorizimi i Rithemelimit është një autorizim nul. Nuk kanë tagër që ata mund t’i kenë për t’u bërë pjesë në proces. Komisioni i Rithemelimit, në dijeninë time, nuk ka personalitet juridik. Si i tillë, nuk mund të lëshojë autorizimi përfaqësimi. Komisioni i Rithemelimit e ka mbaruar mandatin në prill 2022. Nuk ekziston më si koncept Rithemelimi. Është hera e parë që pas gjykimit në Apel, që Rithemelimi vjen si entitet, ndonëse nuk ka mandat. Nuk kanë autorizim për këtë gjykim. Nuk mund të marrësh një autorizim e ta përdorësh për të gjitha llojet e gjyqeve.

Rezart Kthupi: Akti i përfaqësimit, që na paraqitet, është një akt i bërë nga 7 deputetë. Përfaqësimi i partisë me të tretë e ka vetëm kryetari i partisë. Këshilli kombëtar mund ta bëjë delegimin e kësaj kompetence. Nuk jemi në këtë rast. Grupi i deputetëve nismëtare mund të ndjekë të gjithë hapat ligjore deri në përfaqësimin e PD-së. Këshilli kombëtar nuk mund të zbatojë një kompetencë që nuk e ka.

Çlirim Gjata (përfaqësues i  Rithemelimit): Këta hynë si palë e tretë në Apel. U pranuan si palë. Ndërsa tani, ankohen pse duam të bëhemi pjesë si palë e tretë. Unë vlerësoj qëndrimin e gjykatës, që po e shqyrton këtë çështje pa vonesë, sepse iu intereson edhe këtyre. Nëse këta duan ta zvarrisin, në rregull pastaj”.

Mirëpo, nuk ka mbajtur këtë qëndrim gjyqtari i çështjes, i cili tha se e sheh të nevojshme pjesëmarrjen e palëve, pasi kanë interes në zgjidhjen e këtij procesi.

“Gjykata ka vlerësuar se pjesëmarrja e palëve është e nevojshme, pasi kanë interes në zgjidhjen e këtij procesi. Në këtë moment,  gjykata nuk gjen asnjë arsye të revokojë vendimi e saj të mëparshëm për thirrjen e palëve në proces si palë të treta.

Në lidhje me kërkesën e PD-së, përfaqësuar nga Këshilli Kombëtar, gjykata vlerëson të legjitimojë praninë e tyre. Në tagër që Këshilli Kombëtar i ka dhënë 7 deputetëve është edhe përfaqësimi në gjykatë.

Gjykata vlerëson se vullneti i Këshillit kombëtar ka qenë të përfaqësohet nga 7 deputetë. Këta 7 deputetë kanë të drejtën të zgjedhin një avokat. Në këto kushte, akti i përfaqësimit është konform ligjit.

Në lidhje me palën e tretë, PD-ja përfaqësuar nga Këshilli Kombëtar, gjykata vendos të legjitimojë në proces avokatët Marash Logu dhe Redi Ramaj.

Në lidhje me palën e tretë e përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, gjykata mban parasysh që i referohet një momenti tjetër procedural të PD.

Duke pasur parasysh objektin e gjykimit, faktin që ka në objekt ndryshimin e studimeve statutore të shtatorit 2023, gjykata konstaton se autorizimi përkatës nuk përfshin tagra të përfaqësimit”.

Si përfundim pas debateve, Gjykata pranoi Rithemelimin dhe Gazment Bardhin si palë në proces  dhe iu dha kohë të sjellë prokurë përfaqësimi.

“Gjykata i jep kohë avokatëve të Rithemelimit të saktësojnë aktin e përfaqësimit për t’u ligjëruar si palë e tretë në proces. Për të mos zvarritur procesin, gjykata i kërkon palëve të shmangin kërkesat për shtyrje, si edhe të plotësojnë në kohë detyrat e gjykatës”.

Seanca e radhës u la më 25 tetor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos