Karvani i parë i kamionëve me ndihma kaloi në vendkalimin Rafah të shtunën në mëngjes, duke hyrë në Gaza për të dërguar furnizimet humanitare shumë të nevojshme në territorin e rrethuar. Sipas CNN vendkalimi u mbyll menjëherë pasi kaluan 20 kamionë.
Më herët ambasada amerikane në Izrael deklaroi se kufiri Gaza-Egjipt do të hapej sot, duke sugjeruar se një lëvizje e tillë do t’u mundësonte të huajve të largoheshin nga enklava e rrethuar palestineze. Mediat ndërkombëtare raportojnë se ambasada amerikane në Jerusalem ka marrë informacione se kalimi kufitar Rafah do të hapet në orën 10:00 me orën lokale.
Në një postim në mediat sociale, ambasada tha se kishte “marrë informacion” se kalimi Rafah do të hapej në orën 10:00.
“Ne nuk e dimë se sa kohë do të mbetet e hapur që shtetasit e huaj të largohen nga Gaza ”, shtoi ambasada.
Hamasi ka liruar pengjet e tij të parë që nga kryerja e një sulmi të madh të befasishëm ndaj Izraelit. Bëhet fjalë për dy pengje amerikane, një nënë dhe vajza e saj, të cilat ishin mes rreth 200 personave të rrëmbyer. Qytetarët amerikanë do të ribashkohen me familjen në një bazë ushtarake izraelite, thanë zyrtarët.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thotë se përpjekjet vazhdojnë për të liruar më shumë pengje, megjithëse forcat e tij gjithashtu “do të vazhdojnë të luftojnë deri në fitore”.
Kanë kaluar dy javë pasi Hamasi filloi sulmin e tij më 7 tetor brenda Izraelit dhe vrau më shumë se 1400 njerëz. Zyrtarët palestinezë thonë se janë 4,137 palestinezë të vrarë në sulmet izraelite në Gaza.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze thotë se forcat izraelite kanë lëshuar një urdhër evakuimi në një spital në Gaza që strehon mijëra njerëz të zhvendosur, përpara një sulmi të mundshëm.
Liderët e vendeve arabe dhe evropiane do të takohen në Egjipt për të diskutuar krizën, por pritshmëritë janë të ulëta sepse lojtarët kyç si Irani dhe vetë Izraeli, nuk pritet të marrin pjesë.
SHBA-ja dhe BE-ja kanë vënë në dukje “krizën humanitare në përkeqësim në Gaza”, por nuk kanë bërë thirrje për një armëpushim. (A2 Televizion)