43 viktima nga tragjedia në Greqi, Mitsotakis: Trenat u përplasën pas një gabimi njerëzor

Nga A2 CNN
1 Mars 2023, 22:48 | Ballkani
43 viktima nga tragjedia në Greqi, Mitsotakis: Trenat u përplasën

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i është drejtuar vendit me anë të një konference për mediat pas përplasjes së dy trenave në Larisa.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë helene konfirmoi se bëhet fjalë për një gabim njerëzor.

“Çdo gjë tregon se tragjedia, për fat të keq, erdhi kryesisht si pasojë e një gabimi njerëzor.”

Mitsotakis u shpreh po ashtu, se kjo ngjarje do të qëndrojë gjithmonë në memorien e popullit grek, ndërsa shtoi se bëhet fjalë për një rast të paprecedent. Ai po ashtu falënderoi ekipet e ndihmës së shpejtë, duke përfshirë këtu zjarrfikësit, ekipet e shpëtimit, pjesëtarët e sistemit të shëndetësisë dhe autoritetet lokale.

Mitsotakis u premtoi qytetarëve se çështjes do t’i shkohet deri në fund teksa shtoi se ndërkohë është urdhëruar nisja e një hetimi të pavarur për ngjarjen.

“Drejtësia do ta bëjë punën e saj. Njerëzit do të mbajnë përgjegjësi ndërsa shteti do të jetë në anën e qytetarëve,” shtoi Kyriakos Mitsotakis duke bërë apel për unitet gjatë kësaj tragjedie.

Si pasojë përplasjes së trenave në shtetin fqinj janë konfirmuar deri më tani të paktën 43 viktima.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi