“U rritëm jetim, më le vetëm”. Homazhe për gazetarin Enrik Mehmeti, letra prekëse e të vëllait

Nga A2 CNN
22 Korrik 2026, 12:34 | Aktualitet

Një trëndafil i bardhë u hodh në det dhe shumë lot u derdhën gjatë homazheve të mbajtura për humbjen e gazetarit Enrik Mehmeti.

Miq, kolegë dhe familjarë u mblodhën në bregdetin e Vlorës, pikërisht në vendin ku Enriku kalonte një pjesë të madhe të ditëve të tij, duke pritur turistë të shumtë, duke u treguar atyre bukuritë e Vlorës dhe duke promovuar me pasion qytetin që e donte aq shumë, shkruan A2 CNN.

Nën tingujt e muzikës funerale dhe pranë fotografisë së Enrik Mehmetit, qytetarë të shumtë nderuan figurën e një gazetari të përkushtuar dhe një qytetari model, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë në zonën e Zvërnecit.

Në emër të familjarëve, miqve dhe shokëve të Enrikut, Ylli Meçe vlerësoi figurën e gazetarit të ndjerë, duke theksuar se ai nuk e ndali asnjëherë punën dhe përkushtimin për qytetin e Vlorës.

Gjatë homazheve u lexua një letër prekëse nga vëllai i Enrikut, si edhe mesazhi i ngushëllimit i dërguar nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Enrik Mehmeti e deshi jetën dhe qytetin e tij me gjithë zemër. Edhe pse u nda tragjikisht dhe shumë herët nga jeta, ai do të mbetet përgjithmonë në kujtimet e familjarëve, të afërmve, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njihnin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos