
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, reagoi ndaj akuzave për dhunë policore gjatë protestave, duke mbrojtur veprimet e forcave të rendit dhe duke i cilësuar ato si të matura dhe profesionale.
I pyetur nga gazetarët për sjelljen e policisë ndaj protestuesve, Lamallari tha se nuk ka pasur përdorim joproporcional të forcës, ndërsa kujtoi se Shqipëria ka kaluar periudha kur vriteshin protestues të pafajshëm, duke iu referuar 21 janarit.
“Nëse do të thoni dhunë nga forcat e sigurisë dhe jo proporcionale, jemi në një vend ku pak metra më tutje, në këtë shtet proporcionaliteti shkonte fatalitet, ku njerëz të pafajshëm janë vrarë. Nëse ka diçka që të gjithë duhet të bien dakord është që sjellja e policisë, me gjithë provokimet, gurët e hedhur, akuzat, baltën, sjellja ka qenë shembullore. Kurrë më parë s’kemi parë një sjellje kaq të matur, me durim dhe vetëpërmbajtje”, u shpreh ministri.
Lamallari theksoi se policia do të vijojë të zbatojë ligjin dhe të garantojë sigurinë gjatë tubimeve, por paralajmëroi se do të procedohen të gjithë personat që shkelin ligjin.
“Policia është aty për të zbatuar ligjin dhe për të garantuar sigurinë për protestuesit. Por ata kanë detyrimin të procedojnë çdokënd që shkel ligjin, për axhenda të caktuara. Të sulmosh deputetët pse po shkojnë të bëjnë detyrën, kjo s’ka të bëjë me demokracinë”, deklaroi ai.
(A2 Televizion)