
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për reagimin e tij ndaj protestave rinore dhe qytetare, duke e cilësuar atë si një nga aktet më kriminale në historinë e vendit. Sipas Berishës, pushteti po përdor çdo resurs shtetëror për të goditur dhe demonizuar lëvizjen protestuese, duke nisur nga policia, SHISH-i dhe administrata.
“Qëndrimi ndaj protestuesve dhe protestës rinore qytetare më të fuqishme që ka njohur vendi nga vitet ’90 gjer sot. Qëndrimi i Edi Ramës dhe puthadorëve të tij në media, por edhe qindra e mijëra patronazhistëve terroristë politikë ndaj protestuesve paqësore është një nga aktet më të rënda, më kriminale në historinë e këtij vendi. Është dëshmia më flagrante me karakterit diktatorial të regjimit. Është dëshmia më flagrante e diktaturës autoritare të bazuar në drogë, në narkoshtetin, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve. Edi Rama, përveç angazhimit total të policisë kriminale, që është më kriminale se çdo bandë tjetër, të shërbimit informativ kombëtar, që bashkërendon të gjitha praktikat me Beogradin, ka mobilizuar mijëra rrogëtarë, punonjës të administratës shtetërore në krijimin e llogarive false në mediat sociale, në rrjetet sociale për të demonizuar protestën dhe protestuesit, për t’ia ulur shikueshmërinë e tyre dhe për të ndikuar në algoritmin, që sipas tij ia kontrollonte Irani algoritmin. Edi Rama po bën gjithçka kundër kësaj proteste, e cila në fakt e zhveshi para gjithë botës moralin, fytyrën, karakterin e vërtetë të tij”, tha Berisha.
(A2 Televizion)