7 muaj pa u paguar qiraja e tokës, banorët e 7 fshatrave protestojnë përpara Bankers Petroleum

Nga Çaku Tafa
22 Korrik 2026, 15:07 | Aktualitet

Dhjetëra banorë të fshatrave të zonës naftëmbajtëse Patos-Marinzë protestuan paraditen e kësaj të mërkure para zyrave të kompanisë Bankers Petroleum, duke kërkuar pagesën e qirasë për tokat e tyre.

Rreth 800 banorë nga fshatrat Marinzë, Belinë, Sheqishte, Zharrëz, Kallm, Frashër dhe Kuman nuk janë paguar që nga fillimi i vitit 2026 për qiranë vjetore të tokave që kompania përdor për rrugë, parkingje, sheshe dhe puse nafte. Këto toka janë shfrytëzuar nga kompania që prej vitit 2010.

Banorët kërkojnë respektimin e kontratave dhe zbatimin e ligjit. Ata kundërshtojnë ndryshimin e kontratave nga afat njëvjeçar në dyvjeçar, si edhe përgjysmimin e vlerës së qirasë.

Ata paralajmërojnë se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, do të kërkojnë rikthimin e tokave në gjendjen e mëparshme dhe do ta përshkallëzojnë protestën.

Për banorët e zonës naftëmbajtëse, qiraja vjetore e tokave mbetet një nga burimet kryesore të të ardhurave për familjet e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos