Mbyllja e muzeut si truk për turistët

Nga Lutfi Dervishi
6 Mars 2024, 15:41 | Speciale A2

Mbyllja e muzeut si truk për turistët

Nga Lutfi Dervishi

Në një zhvillim që tronditi në themel botën e turizmit dhe atë kulturore, Muzeu Historik Kombëtar njoftoi se do të jetë mbyllur  nga 15 Marsi 2024 deri më 15 Marsin 2028, ose e thënë në mënyrë të përmbledhur “vetëm 4 vjet”.

Arsyeja? Restaurim! Por, ndoshta këtu diçka e madhe fshihet.  Në kohën që vendi ka ndalur frymën dhe numëron milionat e turistëve, lajmi për mbylljen e muzeut ra si bombë. Përdoruesit e rregullt të tiktok  kanë nisur të pyesin nëse ky është një truk i ri për të shmangur turistët e padëshiruar dhe për rrjedhojë për të lehtësuar trafikun në kryeqytet.

Në fakt, nuk është çudi që kjo  ky projekt i madh i restaurimit të ketë një agjendë të fshehtë. Flitet se muzeu pas restaurimit do të jetë pionier në teknologjinë e përparuar, ku vizitorët mund të kalojnë orë të tëra pa mësuar asgjë nga historia. "Pse të shqetësohemi me fakte dhe ngjarje kur është provuar shkencërisht se harresa është ilaçi më i mirë për kujtesën, shpjegoi një specialisti restaurimi. Disa pavione mund dhe duhen lënë bosh. Kjo ul dukshëm edhe kostot.

Njoftimi për mbylljen e muzeut gjithashtu ka nxitur një valë të re të entuziazmit midis agjencive turistike dhe drejtuesve të tureve, të cilët tani janë vënë në garë për të krijuar ture të "Muzeut të Mbyllur." Këto ture ekskluzive (me çmim më të lartë)  do të përfshijnë qëndrim të gjatë përpara dyerve të mbyllura të muzeut. Aty mund të zhvillohet gjë a gjëza: e gjeni dot se çfarë ka brenda?

Po pse katër vjet mbyllur?

Për ata që janë familjar me projektet e infrastrukturës në Shqipëri, Muzeu Historik Kombëtar premton të bëjë mrekullinë. Thonë se restaurimi do  të mbarojë brenda katër viteve!

Nga përvoja me insfrastrukturën, projektet madhore duhet të paktën 10 vjet që t’i afrohen përfundimit. 

Ndoshta ndarja në katër lote do të përshpejtojë punën, por, një zëdhënës anonim sqaroi se kjo ndarje nuk bëhet për të kënaqur kompanitë, por për t’i dhënë çdo epoke rëndësinë që meriton.

Loti Mesjetës- do të shtohen holograme të betejave dhe bisedave të princave shqiptarë me ndërmjetësinë e ambasadorit të Venedikut, për të luftuar ndaj Perandorisë Osmane.

Loti i Pavarësisë. Shpresohet shumë se do të gjendet deklarata origjinale e shpalljes së Pavarësisë, ose në mungesë të saj, një kopje pa firma do të firmoset nga turistët e parë që do të jene te parët që do të vizitojnë pavionin.

Loti i Luftës së Dytë Botërore: Këtu do të gjenden dëshmi të anglo-amerikanëve, se si shqiptarët harxhuan më shumë fishekë ndaj njëri-tjetrit, se sa ndaj gjermanëve. Po kështu në këtë pavion do të shpjegohet edhe misteri se si është e mundur që 80 vjet pas Luftës së II Botërore, numri i veteranëve të luftës ka ardhur duke u shtuar. Për të provuar këtë, në stenda do të jenë edhe abonetë falas të urbanëve që bashkia akordon për “veteranët” e luftës.

Loti i Socializmit: Ky lot është konceptuar në formë radhash, ku turistët do të qëndrojnë në radhë dy orë dhe kur të arrijnë në krye do të kenë mundësi të blejnë një sanduiç me presh.

Sa i përket pyetjes a do mundet që Muzeu vërtet të hapet pas katër vitesh, një zyrtar sqaroi se koha nuk është lineare ku ndërtimet mbarojnë në afat.  Por nën shembullin e punimeve në infrastrukturë, muzeu fillimisht mund të inagurohet, me pas të hapet apo të bëhet i kalueshëm për vizitoret, dhe paralelisht të vijojë puna pa pushim në të kater lotet deri në përfundim. Zyrtari sqaroi se numri 4 mund të jetë me të vjetra, (ju e mbani mend se 4 vjet mori vetëm restaurimi fasades apo jo). Pra ka shumë gjasë të jetë me të reja,   40 vjet, dhe kjo me qëllimin e mirë që të kemi artefakte edhe për periudhën e demokracisë. Duhet vetëm durim. DURIM.

Hapi më i rëndësishëm është bërë: muzeu po kalon në muze.

A2 CNN Livestream

Dita jonë