
Shteti i Serbisë është “xhindosur” me Ukrainën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi. Shkak për këtë është bërë vota e këtyre vendeve në Komitetin e Ministrave në Këshillin e Europës lidhur me pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim.
Këtë e konfirmoi ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, duke folur për televizionin publik RTS, ku la të kuptohet se qëndrimi i ri i Beogradit nuk do të jetë në favor të ruajtjes së kufijve aktualë të atyre shteteve: “Më duhet të them se Ukraina na ka befasuar në mënyrë të pakëndshme. E gjithë kjo histori bazohet në integritetin territorial kur bëhet fjalë për Ukrainën dhe ju e dini se me çfarë përpjekjesh votojmë për të gjitha rezolutat, për të dënuar shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës. Por, kur bëhet fjalë për integritetin tonë territorial, ata abstenuan. Politika e jashtme bazohet në reciprocitet. Kjo sigurisht që do të ndikojë në qëndrimet tona në të ardhmen për integritetin territorial të atyre vendeve. Sa i përket Bosnjës dhe Hercegovinës, a ka pasur ndonjëherë në fjalimin tim që të mos përmend integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës? Tani kur dikush të pyesë, ne do të përmbahemi”.
Kritika jo pak të vogla pati edhe për Greqinë e Sllovakinë, që abstenuan në votimin për Kosovën në Këshillin e Europës, duke pyetur këto shtete nëse e njohin pavarësinë e Kosovës apo jo.
Gjithashtu, paralajmëroi Malin e Zi për votën pro, duke thënë se do të vijë momenti kur ai shtet do të ketë nevojën për votën e Serbisë. Deklarata e Daçiç vjen në një kohë kur Millorad Dodik i sanksionuar nga Perëndimi sinjalizoi se kërkon shkëputjen e Republika Sërpska nga Bosnja-Hercegovina.
Gjithashtu dhe pasi presidenti serb, Aleksandër Vuçiç paralajmëroi një ashpërsim të retorikës ndaj Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara pas votimit të mbajtur në veri të Kosovës. Për të diskutuar lidhur me atë temë, por edhe të tjera, Vuçiç mori pjesë në mbledhjen e qeverisë serbe në godinën e presidencës. Ministri i jashtëm Daçiç njoftoi se në atë mbledhje u miratuan disa konkluzione dhe bëri të ditur se ekziston mundësia që Vuçiç të marrë pjesë në emër të Serbisë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të enjten, ku do të diskutohet për Kosovën. (A2 Televizion)