
Abaz Doga nuk është i pari, por as i fundit nga abuzuesit seksualë të të miturve në shoqërinë tonë, ndërsa edhe pse janë regjistruar disa raste në shkolla, Ministria e Arsimit e sheh problemin te mediat.
Policia nga ana tjetër, nuk ka asnjë informacion mbi atë se çfarë ndodh në zona të ndryshme të kryeqytetit, edhe pse krimi po kryhej nën hundën e tyre. Heshtja e ministrisë apo dhe qeverisë ishte dhe në abuzimin seksual të të miturës në Fier nga mësuesi i muzikës. Ai i premtonte një 13-vjeçareje ta ndihmonte me mungesat në këmbim të favoreve seksuale.
Në Kavajë, me të njëjtën mënyrë, atë të shantazhit me video intime, u abuzua një 14-vjeçare. Ngjarja e ndodhur në shkollën “Rilindja” tronditi opinionin publik, ndërsa në pranga përfunduan 7 persona. Edhe për këtë rast, Ministria nuk reagoi duke e kaluar në heshtje, ndërsa në të gjitha ngjarjet e abuzimit seksual në Shqipëri shkolla nuk ka dijeni.
Gjatë viteve 2018-2019 janë raportuar 8 raste të abuzimit seksual, ku 4 prej tyre kanë ndodhur brenda ambienteve të shkollës, nga mësuesi, por edhe nga nxënës më të rritur se viktimat që kanë pësuar këtë abuzim. Në rezultatet e fundit të studimit Becan, krahas policisë, e cila duket se ka probleme në marrjen e informacioneve, problemet më të mëdha janë brenda institucioneve arsimore.
Sipas këtij raporti, në Shqipëri mësuesit dhe arsimtarët nuk janë trajnuar në mënyrë të duhur se si të identifikojnë dhe referojnë këto raste. Edhe pse abuzimi i të miturës nga roja i shkollës, Abaz Doga, ishte denoncuar nga familjarët para një viti te drejtori i shkollës, Ministria e Arsimit u mjaftua vetëm me pezullimin e tij dhe duke e gjetur fajin tek të tjerët, në këtë rast, media. (A2 Televizion)