Rama citon Konicën dhe kthehet 13 vite më parë kur erdhi në pushtet: Ndaluam importin e plehrave, prerjen e pyjeve

Nga A2 CNN
12 Qershor 2026, 18:46 | Politikë

Gjatë fjalës së tij në festën e 35-vjetorit të PS-së kryeministri Edi Rama mbrojti bilancin e qeverisjes së tij në mbrojtjen e mjedisit, duke kujtuar vendimet e para të marra pas ardhjes në pushtet dhe punën e bërë më herët në krye të Bashkisë së Tiranës.

Rama tha se mbi 90% e pemëve që shihen sot në Tiranë janë mbjellë gjatë kohës kur ai drejtonte bashkinë, ndërsa kujtoi se e la detyrën me 55 mijë pemë dekorative të mbjella.

“E vërteta është se dallimi mes meje dhe kujtdo në atë bashkësi protestuesish që i përket kësaj kategorie, nuk është si duket nga bulevardi. Edhe unë mendoj për jetën e banorëve të tokës, brishtësinë e mjedisit përballë veprimeve të njerëzve me pushtet. Qysh kur kam shkelur në zyrën e parë të shtetit, kam bërë sa kam mundur kundër pisllëkut dhe pastërtisë. Shumë prej atyre që janë në bulevard apo që i mbështesin nga rrjetet sociale, janë shumë të rinj, për ta kujtuar Tiranën e 20 viteve më parë, kur morëm drejtimin e bashkisë së kryeqytetit, ku kishte më shumë pemë të prera, sesa të mbjella. Mbi 90 % e pemëve që shohin në rrugët e Tiranës, i kemi mbjellë së bashku me disa të tjerë që janë këtu, në kohën që si kryetar bashkie dola nga zyra duke lënë pas 55 mijë rrënjë pemësh dekorative. Shumë prej atyre pemëve të larta kanë qenë fidanë të mbjellë me sherr, pasi duheshin shembur kjoska... Vetëm në skarpatet e Lanës janë hequr 123 mijë ton beton”.

Duke iu referuar protestave që kundërshtojnë investimin në Zvërnec, Rama citoi edhe Faik Konicën, me shprehjen: “Bëj durim, se shqiptari e ka zakon që kundërshton përpara se të marrë vesh”.

“Që atëherë unë mësova se në këtë vend nuk hedh dot një hap për të ecur përpara, pa bërë një sherr që të kthen pas. Që atëherë më flet në vesh Faik Konica, i cili thotë ‘bëj durim, sepse shqiptari e ka zakon që kundërshton pa marrë vesh’”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u rikthye 13 vite pas, kur PS mori drejtimin e vendit, duke theksuar se ndër vendimet e para të kabinetit të tij ishin ndalimi i importit të mbetjeve, pastrimi i vendgrumbullimeve të plehrave, si dhe moratoriumet 10-vjeçare për prerjen e pyjeve dhe gjuetinë.

“Kur më pas morëm mandatin e asaj shumice për të rilindur Shqipërinë e zhytur në pisllëk, në gropa, në borxhe, në cepin e përbuzjes dhe shpërfilljes ndërkombëtare, dy nga vendimet e para që morëm në tryezën e qeverisë tamam në ditën e betimit ishin vendosja e fotografisë së atit të Shqipërisë shtet. Ismail Qemalit në vend të fotografive të presidentëve që e vinin si edhe ndalimi i importit të plehrave. Me fjalë të tjera, ne u përcaktuam edhe simbolikisht si një forcë në shërbim të misionit për t'i dhënë dinjitetin e humbur Shqipërisë dhe shtetit të saj dhe u angazhuam konkretisht në një veprimtari të pandalur për të rivendosur ekuilibrin e humbur të njerëzve me Shqipërinë, ndalimin e importit të plehrave dhe heqjen e maleve të mbetjeve të grumbulluara kudo, kudo kudo ku hidhin sytë. E pasuan më tej edhe dy vendime të tjera që u kontestuan nga një pakicë e zhurmshme, ndalimi i prerjes së pyjeve për 10 vjet dhe ndalimi i gjuetisë për 10 vjet. Dy moratoriume që kanë krijuar sot dy pamje krejt të ndryshme të Shqipërisë asaj kohe kur nëpër pyje gjinkallat ishin zëvendësuar nga sharrat elektrike, ndërsa shpendët dhe kafshët shfarroseshin nga turizmi barbar i gjahtarëve të huaj, të cilët futeshin në vendin tonë si tufa çake me dy këmbë. për të bërë masakra që në Europë as nuk janë imagjinuar dot shekullin parë. Ishim ne që pastaj kryem regjistrimin në kadastër të 1.3 milion hektar pyje mbi mesataren e Bashkimit Europian. Kjo sasi. Ishim ne që përmes moratoriumeve 10 vjeçare të gjuetisë dhe pyjeve mundësuam disafishimin e popullatës së shpendëve të egër, çka e tregon dhe censusi që bëhet çdo vit në mënyrë të rregullt”, theksoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos