Kryeministri Edi Rama, me anë të një statusi në Twitter, është shprehur se “fajësimi i qeverisë për situatën në Kakavijë, thjesht një sebep i radhës për avazin e vjetër të një Presidenti që abuzon me institucionin e lartë për qëllimet e ulëta të Lëvizjes së tij të Çintegruar politike”.
“Ndërsa argumentat për fajësimin pastaj pfff… parodi tipike alla Baba Xhike”, shtoi Rama.
Presidenti Ilir Meta, gjatë një konference për shtyp, ka akuzuar qeverinë si shkaktaren dhe përgjegjësen kryesore të krizës humanitare, shkaktuar nga radhët në pikën kufitare të Kakavijës.
“Çfarë informimi ka pasur për shqiptarët që ikin në Greqi? Përgjegjësia vetëm mbi qeverinë dhe shtetin shqiptar, nuk mund t’i vihet faj emigrantëve”, ishin fjalët e kreut të Shtetit, që edhe i kërkoi ndjesë të gjithë emigrantëve të cilët për 4 ditë pritën në radhë në kushte të vështira. Sipas tij nuk ka kuptim as fajësimi i palës greke, që “punën e saj e bën shumë mirë”.
Shteti sipas tij duhet të sigurojë tamponët falas për emigrantët, nga momenti që është shumë i shtrenjtë për familjet.
Meta shtoi se “një qeveri e përgjegjshme nuk reagon pas situatës” dhe se “qytetarët nuk morën informacion as për tampon as për përkthimin e testeve”, duke akuzuar dy herë Edi Ramën, “si kryeministër dhe ministër i Jashtëm”. (A2 Televizion)