“Shqipëria nuk është në shitje”, dita e 27 e protestës në Tiranë, vijojnë thirrjet për dorëheqjen e Ramës

Nga Armand Bajrami
27 Qershor 2026, 09:26 | Politikë

Për të 27-tën ditë radhazi, sheshi "Skënderbej" është populluar nga protestues, të cilët e kanë kthyer atë në një pikë takimi të përditshëm për të marshuar më pas drejt godinës së Kryeministrisë. Pankarta e madhe që ka shoqëruar gjithmonë protestuesit, të cilët vijnë çdo ditë nga sheshi "Skënderbej" drejt godinës së Kryeministrisë, ditën e sotme i është dedikuar çështjes çame. Kjo pikërisht për shkak të 82-vjetorit të përkujtimit të gjenocidit çam, ku edhe pankarta shkruante: "Çështja çame kërkon veprim dhe jo fjalë".

Pasi u bënë bashkë para godinës së Kryeministrisë, protestuesit vijuan me brohoritjet dhe thirrjet e tyre të përditshme, ku në krye qëndronte kërkesa për dorëheqjen e kreut të qeverisë: "Edi Rama, jep dorëheqjen".

Edhe në ditën e saj të 27-të, protesta mundi të mbante karakterin e saj paqësor. Efektivët e policisë, ndonëse ishin të pranishëm para godinës së Kryeministrisë, por edhe pas saj, nuk ishte e nevojshme të ndërhynin në asnjë moment. Në përfundim, me thirrjen "Nesër më shumë!", protestuesit vijuan marshimin e tyre në rrugët e kryeqytetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos