Një nga kërkesat e protestuesve është kufizimi i mbajtjes së detyrës së një kryeministri deri në 8 vite, jo më shumë se dy mandate. Kjo është një kërkesë që edhe Sali Berisha e ka pranuar.
Belind Këlliçi, i ftuar në studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN, u pyet se si duhet kuptuar pranimi i këtij kushti nga kreu demokrat, i cili i ka shërbyer dy mandate si kryeministër i Shqipërisë.
Deputeti i Partisë Demokratike u përgjigj: “Duhet kuptuar siç e ka thënë zoti Berisha, i cili ka qenë tejet i qartë në deklaratën e tij të prerë që e mbështet plotësisht edhe këtë propozim të protestuesve, që prek drejtpërdrejt në një farë mënyre dhe rrugëtimin e tij politik, nëse ai ka pasur një moment ambicie për t'u bërë kryeministër. Por, që mua nuk më rezulton kështu. Zoti Berisha në këtë betejë e ka thënë që vitin e kaluar që nuk është për karrierë personale, nuk është për aspiratë personale. E ka portretizuar veten, dhe ne si Parti Demokratike të gjithë e kemi parë si një misionar për të rikthyer procesin elektoral në Shqipëri, për të rikthyer votën e lirë dhe e ka thënë dhe në zgjedhjet e kaluara që rezultuan të ishin një farsë, në 11 maj të vitit të kaluar, që në rast fitoreje të Partisë Demokratike do të zhvilloheshin primare dhe do të zhvillohej një garë brenda Partisë Demokratike për të përzgjedhur vetë kandidaturën për kryeministër. Pra, e kishte lënë në një farë mënyre një derë të hapur për këtë çështje, por vulën ia ka vendosur tani dhe ky është qëndrimi i tij publik. Dhe kjo fakton nivelin e lartë të jo vetëm eksperiencës që zoti Berisha ka, por dhe të rolit që ai ka marrë si realisht një misionar në momentin aktual për të zhbërë të gjithë deformimin e procesit elektoral në Shqipëri”.
“Zoti Berisha ka mision rikthimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri dhe Partia Demokratike së bashku me të ka mision rikthimin në krye të punëve të vendit përmes rikthimit si forcë e parë. Por, Sali Berisha nuk është për ambicie personale"
(A2 Televizion)