Aleanca për Shqiptarët hyn në qeveri? Taravari: Nëse ka zgjedhje të parakohshme, fiton VMRO

Nga A2 CNN
25 Janar 2023, 16:11 | Ballkani
Aleanca për Shqiptarët hyn në qeveri? Taravari: Nëse ka

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari, tha se deri të premten partia që ai drejton do të vendosë nëse do të futet në qeveri, apo do të vijojë të qëndrojë në opozitë. Në një intervistë në Ditarin e A2 CNN, Taravari tha se deri tani nuk ka pasur asnjë ofertë konkrete, por vetëm biseda jozyrtare.

“Nuk kemi filluar negociata për futjen tonë në qeveri. Për të filluar negociatat me BE, Maqedonisë i duhen 80 vota për ndryshimet kushtetuese ku bullgarët do të jenë në preambulën e Kushtetutës. Për momentin shumica ka 60-62 vota, një shumicë e brishte, jo stabile. Nëse nuk futet Aleanca për shqiptarët në qeveri, probabiliteti është që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Bashkë me ne arrihet numri 70-71”, tha Taravari. “Besoj deri të premten do të ulemi kryesia e partisë për të vlerësuar nëse ia vlen të futemi në qeveri apo të qëndrojmë në opozitë. Por edhe nëse qëndrojmë në opozitë do t’i votojmë pa diskutim ndryshimet kushtetuese”.

Sipas tij, nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, ato i fiton opozita. “Kurdo që të mbahen zgjedhjet, VMRO-DPMNE duket se fiton bindshëm ndaj LDSM. Jemi në situatë shumë të pasigurt. Të gjitha porositë që kemi marrë nga partnerët që t’i jepet shans ndryshimeve kushtetuese”.

I pyetur rreth zërave se Aleanca për Shqiptarët ka kërkuar të ketë drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe të Shëndetësisë, Taravari tha se ato janë spekulime. “Unë për momentin jam kryetar i Bashkisë së Gostivarit. Këtë mandat e kam marrë në nëntor 2021. Mendoj se qytetarët më kanë besuar dhe nuk dua t’i zhgënjej deri në fund”.

Taravari ngriti alarmin se në Maqedoninë e Veriut po rritet ndjenja proruse. “Ne kemi qenë në koalicion me VMRO-DPMNE, por pasi ata nisën të përdornin një fjalor fyes ndaj shqiptarëve u distancuam. VMRO perceptohet të shqiptarët si një parti ultra-nacionaliste. Unë e di që nuk janë e tillë, por ekziston një parti këtu që quhet Levica - E Majta, e cila ka rritje të paparë për shkak se deklarohet proruse, për shkak se janë anti-NATO, gjë që e thonë publikisht. Gjithnjë e më shumë kanë përkrahës te maqedonasit. Sipas anketave të fundit nga shoqatat joqeveritare ndërkombëtare, nacionalizmi te maqedonasit rritet. Maqedonasit janë shumë më shumë prorusë sesa proamerikanë. Që është vërtet situatë shqetësuese. Kurse te shqiptarët vërehet një proamerikanizëm dhe proeuropianizëm mbi 90%. Besoj se kështu është edhe në Shqipëri e Kosovë”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos