
Një pjesë e njerëzve më të pasur dhe më të arsimuar, të cilët deklarojnë se kujdesen për klimën dhe natyrën, rezultojnë si ndotësit më të mëdhenj të mjedisit. Ky raport paradoksal ka dalë nga një studim i publikuar së fundmi në revistën shkencore Communications Earth & Environment.
Në studim u përfshinë mbi 5 mijë persona nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara. Studiuesit analizuan të ardhurat, nivelin e arsimit, stilin e jetesës dhe qëndrimet ndaj mjedisit, duke i krahasuar me tregues konkretë si konsumi i mishit dhe produkteve të qumështit, madhësia e familjes, prodhimi i mbeturinave, përdorimi i makinave, orët e fluturimit, ata vlerësuan gjurmën e tyre ekologjike.
Rezultatet treguan se, në përgjithësi, personat që shfaqin më shumë ndjeshmëri ndaj çështjeve mjedisore kanë një ndikim më të ulët në natyrë. Megjithatë, për rreth 30% të të pasurve dhe të arsimuarve ndodh e kundërta. Sa më shumë deklarojnë se kujdesen për mjedisin, aq më e madhe rezulton gjurma e tyre ekologjike.
Sipas autorëve, arsyeja kryesore lidhet me udhëtimet ajrore. Kjo kategori njerëzish udhëton më shpesh me avion, një nga aktivitetet individuale që gjeneron më shumë emetime të karbonit.
Ekspertët theksojnë se vlerat personale pro-mjedisit nuk mjaftojnë për të ulur ndotjen, sidomos te shtresat më të pasura. Për këtë arsye, ata sugjerojnë politika më të forta publike dhe rregulla që të vlejnë për të gjithë, duke argumentuar se ndryshimi klimatik nuk mund të luftohet vetëm përmes ndërgjegjësimit individual.
(A2 Televizion)