Edhe pse është një aeroport ndërkombëtar, në pistën e tij vetëm 50 pilotë në botë mund të ulin avionë. Ulja është vërtet sfiduese në Aeroportin e Paros në Bhutan, ku piloti duhet të manovrojë avionin mes majave 5500 metra të larta dhe duhet ta njohin thuajse përmendësh ambientin që i rrethon.
Paro është një aeroport i kategorisë C, çka do të thotë që pilotët duhet të kenë kualifikim të veçantë për të fluturuar aty. Zbritja duhet të realizohet manualisht, pa radar, shkruan A2 CNN. Për më tepër, aeroporti është i mbyllur gjatë natës dhe sezonit të stuhive. 97% e Bhutanit është zonë malore, ndërsa kryeqyteti Thimpu ndodhet 2350 metra mbi nivelin e detit, kështu që zgjedhjet për një aeroport më të zakonshëm ishin të pakta.
Por pavarësisht kushteve ekstreme, për pilotët e paktë që mund të ulin avionët aty, situata nuk është shqetësuese. “T’i sqarojmë gjërat. Paro është i vështirë, por jo i rrezikshëm”, thotë për CNN Kapiteni Chimi Dorji, i cili punon prej 25 vitesh për Durk Air, kompaninë shtetërore të Bhutanit.
Për të mos mbetur pa pilotë, Durk Air, e themeluar në vitin 1981, ka nisur një program trajnimi të të rinjve vendas që aspirojnë të punojnë me avionë. “Njohja e territorit është faktor i rëndësishëm”, thotë 43-vjeçari Dorji. “Sa më lart ngjitesh, aq më i lehtë bëhet ajri dhe kjo ndryshon edhe shpejtësinë e avionit. Unë e konsideroj veten një urë lidhëse mes brezit të vjetër dhe atij të ri”. (A2 Televizion)