Një ish-drejtues i lartë i kompanisë së teknologjisë artificiale 'OpenAI', i cili u dorëhoq nga posti i tij vetëm pak ditë më parë, shpjegon se arsyeja e tij ishte pasi siguria nuk ishte një nga prioritetet e punëdhënësve të tij.
Jan Leike, i cili drejtoi ekipin e quajtur "Superalignment" të 'OpenAI-it', së bashku me një bashkëthemelues të kompanisë, i cili gjithashtu dha dorëheqjen këtë javë, shkruante në një seri postimesh në platformën e medias sociale X, se ai ishte bërë pjesë e kompanisë, pasi mendonte se do të ishte vendi më i mirë për të bërë kërkime në fushën e inteligjencës artificiale.
“Prej kohësh nuk kam rënë dakord me drejtuesit e OpenAI-it në lidhje me përparësitë kryesore të kompanisë, derisa më në fund mbërritëm tek një pikë ndarjeje”, shkruan Leike.
Ai tha se duhet të ketë më shumë përqendrim në përgatitjen për gjeneratën e ardhshme të modeleve të Inteligjencës Artificiale, përfshirë çështje si siguria dhe analizimi i ndikimit social që ka kjo teknologji.
Ai tha se prodhimi i makinave më të zgjuara se njeriu është një përpjekje në thelb e rrezikshme dhe se kompania ka një përgjegjësi të madhe në emër të të gjithë njerëzimit.
Në një përgjigje ndaj postimeve të Leike, drejtuesi ekzekutiv i kompanisë 'Open AI', Sam Altman, shkroi se ai ishte tejet mirënjohës për kontributin e tij dhe se ishte i trishtuar që ai po largohej.
"Leike ka të drejtë, ne kemi ende shumë për të bërë dhe jemi të përkushtuar ta bëjmë një gjë të tillë", u shpreh Altman.
Sipas Zërit të Amerikës, kompania konfirmoi të premten se kishte shpërbërë ekipin e Leike 'Superalignment', i cili u ngrit vitin e kaluar për t'u përqendruar tek rreziqet që paraqet Inteligjenca Artificiale.
Të hënën "OpenAI" bëri publike përditësimin më të fundit te modeli i tij i Inteligjencës Artificiale, që mund të imitojë variacionet e zërit, ulje-ngritjet e tij, në përgjigjet verbale, e që madje, mund të përpiqet të zbulojë edhe gjendjen emocionale të njerëzve. (A2 Televizion)