Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, ka bërë thirrje për një përshkallëzim të protestave, duke propozuar që deputetët e opozitës të ngujohen fizikisht në ambientet e Parlamentit.
I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Çollaku theksoi se nuk bëhet fjalë për grevë urie, por për një akt simbolik dhe të vazhdueshëm brenda Kuvendit.
“Në Parlament nuk janë për grevë urie, por deputetët e opozitës mund të ngujohen fizikisht në Parlament. Të ngujohen fizikisht në Parlament derisa të japë përgjigje ai këtyre njerëzve.
S'po them grevë urie apo këto situata makabre. Të ngujohen fizikisht, të bllokohet, të pushtohet salla e Parlamentit”, u shpreh Çollaku.
“Në ’68 studentët kanë pushtuar universitetet në gjithë Evropën dhe sollën ndryshime. Këtu duhet një përshkallëzim i situatës, sepse kështu, duke pritur reflektim moral, kjo gjë harrohet”, deklaroi ai. (A2 Televizion)