Gazetari Bledian Koka duke folur për zgjedhjen e drejtuesit të Këshillit Kombëtar të PD theksoi se kandidatet do të duhet të kishin platforma dhe vizion, pasi bëhet fjalë për një organ të rëndësishëm në selinë blu.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Koka ngriti pikëpyetje edhe për listat e kryesisë së PD-së, sa i takon përzgjedhjes dhe parametrave.
Gazetari theksoi se pret një qasje tjetër nga PD sepse kjo parti është në presion nga sheshi për të qenë alternativë përballë qeverisë.
“Këshilli Kombëtar është një nga organet qeverisëse më të rëndësishme të PD-së. Jo se dy zonja s’e meritojnë, por do doja një platformë, një lloj vizioni, çfarë do bëja unë në rast të një krize brenda partisë. Ja që pozicioni i kryetarit të këshillit të partisë nuk qenka pozicion kaq i thjeshtë dhe që unë realisht mendoj që është një pozicion për të cilin duhet të kandidohet me platforma dhe me vizione. Si e kanë lexuar krizën e 2017-ës apo 2021-shit dy zonjat? PD ka detyrimin më së pari t’u tregojë qytetarëve si sillet me institucionet e veta sot se çfarë do bëjë me institucionet nesër. Lista për kryesinë, si u zgjodhën këta njerëz? Pse këto dhe jo disa të tjerë? Mënyra si përzgjidhet lista duhet të ketë disa parametra. Vërtet kemi një listë me të rinj, problemi është pse këta të rinj dhe jo disa të tjerë. Si u përdor mekanizmi. Unë pres që PD të ketë një qasje tjetër, sepse është në një moment delikat, që vjen si presion nga sheshi, që PD duhet të jetë alternativa e një gjëje që te PS s’pranohet më”, u shpreh gazetari Koka. (A2 Televizion)